27 Mars 2020
Departamenti Amerikan i Thesarit
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara (OFAC), në një deklaratë të enjten, shpalli se ka etiketuar 20 kompani frontale, zyrtarë të lartë, e bashkëpunëtorë biznesi në Iran e Irak, të cilët i mbështesin ose veprojnë në emër të Forcave Qods të Gardës Revolucionare (IRGC) të regjimit iranian. Sipas kësaj deklarate, këto kompani e individë janë marrë gjithashtu me “transferimin e ndihmave vdekjeprurëse për militantët terroristë të mbështetur nga Irani në Irak, të tillë si Kata’ib Hizballah (KH) dhe Asa’ib Ahl al-Haq (AAH).”
“Mes veprimtarish të tjera malinje, këto entitete dhe individë kanë kryer apo mbështetur akte si: kontrabandë përmes portit iraken Umm Qasr; pastrim parash përmes kompanive frontale irakene; shitje të naftës iraniane regjimit të Sirisë; kontrabandim armësh në Irak e Jemen; promovim të propagandës në Irak në interes të IRGC-QF dhe militantëve të saj terroristë; kërcënim të politikanëve irakenë; dhe përdorim të fondeve e donacioneve publike të bëra në drejtim të një institucioni supozimisht fetar për të shtuar buxhetin e IRGC-QF. Militantët terroristë të mbështetur nga regjimi iranian, si KH dhe AAH, kanë vazhduar të kryejnë sulme ndaj forcave amerikane dhe të Koalicionit në Irak,” lexon deklarata.
“Irani përdor një rrjet kompanish frontale për të financuar grupe terroriste në rajon, duke ia shteruar burimet popullit iranian dhe duke u dhënë prioritet proksive terroristë në vend të nevojave bazë të popullit të vet,” tha Sekretari i Thesarit, Steven T. Mnuchin. “Shtetet e Bashkuara bëjnë përjashtime të gjera dhe japin autorizime për ndihma humanitare, duke përfshirë lëndët e para bujqësore, ushqimet, ilaçet, dhe pajisjet mjekësore për ta ndihmuar popullin e Iranit në luftën ndaj koronavirusit.”
Më 16 tetor 2019, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), në një raport ekskluziv, ekspozoi rolin e Qendrës së Rindërtimit të Tempujve të Shenjtë, të regjimit iranian, dhe rolin e saj si një organizatë frontale e Forcave Quds në implementimin e planeve terroriste të regjimit iranian në Irak e Siri.
“Qassem Soleimani i ka bërë personalisht emërimet e fundit në Qendrën e Rindërtimit të Tempujve të Shenjtë më 12 korrik 2019. Mes tyre ishte ngritja në detyrë e Gjeneralit të IRGC-së, Hassan Polarak, nga kryetar i Qendrës së Rindërtimit në këshilltar special të zyrës komanduese të Forcave Quds. Pas kësaj, Polarak-ut iu dha gjithashtu detyra e mbikëqyrjes së veprimtarive të Qendrës. Në të njëjtin dekret, Soleimani e caktoi Polarak-un si autoritetin për përmirësimin e ceremonive të Arbaeen dhe për shmangien e sanksioneve. Soleimani caktoi Mohammad Jalal Maab si kreun ekzekutiv të Qendrës së Rindërtimit, pas ngritjes në detyrë të Hassan Polarak,” shton NCRI.
Departamenti amerikan i Thesarit e ka përfshirë këtë organizatë frontale në serinë e tij më të re të etiketimeve:
“Organizata e Rindërtimit të Tempujve të Shenjtë në Irak (ROHSI) është një organizatë e kontrolluar nga IRGC-QF, me bazë në Iran dhe Irak, lidershipi i të cilës është emëruar nga Komandanti i eliminuar i IRGC-QF, Qassem Soleimani. Edhe pse është supozimisht një institucion fetar, ROHSI i ka transferuar miliona dollarë Kompanisë irakene Bahjat al Kawthar për Ndërtim dhe Tregti Ltd, e cila njihet edhe si Kompania Kosar, dhe është një tjetër entitet me bazë në Irak nën kontrollin e IRGC-QF-së. Kompania Kosar ka shërbyer si bazë për veprimtaritë e inteligjencës iraniane në Irak, duke përfshirë transportimin e armëve dhe municioneve drejt grupeve militante terroriste të mbështetura nga Irani,” lexon deklarata e Departamentit të Thesarit.
“OFAC ka etiketuar gjithashtu Mohammad Jalal Maab, kreun aktual të ROHSI, i cili është emëruar në këtë pozicion nga vetë ish-Komandanti i IRGC-QF, Soleimani. Jalal Maab ka zëvendësuar Hassan Pelarak, një oficer i IRGC-QF dhe bashkë-pronar i Kompanisë Kosar, i cili është zgjedhur nga Soleimani për të shërbyer si asistenti i tij special në një komitet të drejtuar nga IRGC-QF, komitet që fokusohet në veprimtari të lidhura me evazionin e sanksioneve. Pelarak ka punuar gjithashtu me zyrtarë të IRGC-QF për të transferuar raketa, eksplozivë, dhe armë të vogla në Jemen, duke intensifikuar konfliktin në Jemen e duke përkeqësuar një nga katastrofat më të mëdha njerëzore të botës,” shton Departamenti i Thesarit.