Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
27 Mars 2020
Iran – Burgu Saqqez
Të premten, më 27 mars 2020, të burgosurit në Burgun Saqqez në Kurdistan ngritën krye në protestë kundër refuzimit nga ana e mullahëve për t’i liruar ata për shkak të përhapjes së koronavirusit. Një numër i madh të burgosurish ia dolën të arratiseshin pas përplasjeve me forcat e IRGC-së dhe rojat e burgut.
Agjencia e Lajmeve Fars, e cila është e lidhur me IRGC-në, ka raportuar se janë arratisur 80 të burgosur. Forcat represive janë shpërndarë nëpër qytet për t’i kapur sërish të arratisurit. Regjimi është detyruar të dërgojë në Saqqez forca nga qytetet fqinje për ta kontrolluar situatën.
Të enjten, më 26 mars 2020, ngritën krye edhe të burgosurit në seksionet 7 dhe 9 të burgut të Tabriz-it, të cilët ishin të ekspozuar ndaj Koronavirusit. Rojat hapën zjarr brutalisht mbi të burgosurit e pambrojtur, duke plagosur të paktën shtatë prej tyre. Të burgosurit i çarmatosën rojat dhe u përleshën me ta. Disa të burgosur ia dolën të arratiseshin.
Më përpara ka patur kryengritje nga të burgosurit edhe në Burgun Qendror të Aligudarz dhe në burgun e Khorramabad ku disa kanë mundur të arratisen. Shumë të burgosur janë vrarë apo lënduar pasi forcat represive hapën zjarr mbi ta. Në kundërshtim me propagandën e tij, dhe ndërkohë që Koronavirusi është përhapur shumë nëpër burgje, regjimi i mullahëve jo vetëm që refuzon t’i lirojë të burgosurit, qoftë edhe përkohësisht, por vazhdon gjithashtu të shtojë të burgosur të rinj pa i karantinuar ata. Deri tani, disa të burgosur të infektuar kanë vdekur në Burgun Qendror të Teheranit të Madh (Fashafouyeh), në Urmia e në burgje të tjera.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) ka paralajmëruar sërish për një katastrofë të madhe njerëzore në burgjet mesjetare të regjimit dhe ka bërë thirrje për aksion të menjëhershëm nga komuniteti ndërkombëtar për të siguruar lirimin e qindra mijëra të burgosurve, sidomos atyre politikë.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
27 mars 2020