Friday, September 13, 2024

Rouhani Thotë se Regjimi Iranian Do Ta Rrisë Pasurimin e Uraniumit të Dielën

Shkruar nga Shahriar Kia 

Presidenti i regjimit iranian, Hassan Rouhani, deklaroi të mërkurën se, duke nisur nga e diela që vjen, regjimi do ta rrisë pasurimin e uraniumit në çfarëdo sasie që të dëshirojë dhe do t’i rifillojë veprimtaritë në reaktorin e ujit të rëndë në Arak.

Organizata mbikëqyrëse e punëve bërthamore në Kombet e Bashkuara konfirmoi të hënën se regjimi iranian ka kaluar një limit të vendosur ndaj rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të ulëta, duke shkelur kështu paktin bërthamor të 2015-ës.

Ky pakt – i njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) – i firmosur nga Teherani dhe fuqitë botërore, ia ndalon gjithashtu regjimit pasurimin e uraniumit mbi 3.67 përqind.

“Duke nisur që nga 7 korriku, do ndërmarrim hapin e radhës. Nëse doni të shprehni keqardhje, është tani koha për ta bërë. Nxirrni çfarëdo deklaratash që të doni tani. Më 7 korrik, niveli jonë i pasurimit nuk do të jetë më 3.67 përqind. Do ta lëmë mënjanë këtë angazhim. Do ta rrisim përtej 3.67 përqindëshit deri sa të duam, deri sa të jetë e nevojshme, deri sa të na duhet,” tha Rouhani në një takim të kabinetit në Teheran.

“Vini re se që nga 7 korriku, për sa i përket reaktorit në Arak, nëse nuk i implementoni të gjitha angazhimet tuaja ndaj nesh sipas planit, do t’i rivendosim kushtet e mëparshme në reaktorin e Arakut; kushte që, sipas fjalëve tuaja, ‘janë të rrezikshme’ dhe do të prodhojmë plutonium,” shtoi Rouhani duke iu drejtuar fuqive botërore.

Fjalët e tij u transmetuan nga televizioni shtetëror.

Duke komentuar lidhur me shpalljen e Rouhani-t, Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) Mohammad Mohaddessin tha: “Ngjarjet e ditëve të fundit dhe shpallja e Rouhani-t sot tregojnë qartë se regjimi i mullahëve nuk i ka braktisur asnjëherë projektet e tij të armëve bërthamore dhe po përpiqet të gjejë një mundësi për të vazhduar më tej me këto projekte. Siç ka deklaruar vazhdimisht Rezistenca Iraniane, regjimi nuk duhet të lejohet që ta pasurojë uraniumin dhe projektet e tij bërthamore duhet të eliminohen plotësisht.”