Shkruar nga Amir Taghati
Fuqitë botërore e kanë dënuar shkeljen që regjimi iranian i ka bërë paktit ndërkombëtar bërthamor të 2015-ës, pasi Kombet e Bashkuara konfirmuan këtë javë se regjimi e ka kaluar limitin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të ulëta.
Të hënën, Agjensia shtetërore e Lajmeve Fars e regjimit shpalli se rezervat e uraniumit të Teheranit kanë shkuar mbi 300 kg uranium të pasuruar; një substancë që përdoret për të prodhuar armë bërthamore.
Shtëpia e Bardhë tha të hënën se do ta vazhdojë politikën e presionit maksimal mbi regjimin iranian deri sa ai të ndryshojë sjellje dhe theksoi se Teherani nuk duhet të lejohet ta pasurojë uraniumin në asnjë rrethanë.
Deklarata lexon: “Presioni maksimal mbi regjimin iranian do të vazhdojë deri sa liderët e tij ta ndryshojnë këtë rrjedhë veprimesh… Duhet ta rikthejmë standartin e vjetër të mos-proliferimit e të mos-pasurimit për Iranin.”
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha: “Regjimi i Iranit ka ndërmarrë hapa të rinj për të çuar përpara ambiciet e tij bërthamore. Edhe një herë, regjimi po e përdor programin e tij bërthamor për ta zhvatur komunitetin ndërkombëtar e për të kërcënuar sigurinë rajonale. Sponsori kryesor i terrorizmit në botë nuk mund të lejohet kurrë që ta pasurojë uraniumin në asnjë nivel.”
Ndërkohë, Donald Trump tha se regjimi iranian po “luan me zjarrin”.
Kjo erdhi vetëm pak orë pasi Ministri i Jashtëm i regjimit, Mohammad Javad Zarif, konfirmoi se Teherani e kishte shkelur paktin bërthamor të 2015-ës me fuqitë e mëdha duke prodhuar mbi 300 kg uranium të pasuruar.
Kjo lëvizje e Iranit u konfirmua gjithashtu nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes nga Irani. Kreu i IAEA-s, Yukiya Amano, e informoi më 1 korrik bordin e guvernatorëve për këtë shkelje.
Kjo është pjesë e përpjekjeve të regjimit për ta detyruar Europën që t’i ndihmojë mullahët për të anashkaluar sanksionet amerikane. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Abbas Mousavi ka thënë se të gjithë hapat që po merr Teherani për të ulur angazhimet e tij ndaj paktit bërthamor janë “të kthyeshëm”.
Europa është natyrisht shumë e shqetësuar nga kjo shkelje e Iranit.
Një burim i ministrisë së jashtme gjermane, i cili donte të mbetej anonim, tha: “I bëjmë thirrje Iranit që ta kthejë mbrapsht këtë hap dhe të mos e sabotojë më tej marrëveshjen bërthamore.”
Ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt postoi në Twitter: “Jam shumë i shqetësuar nga shpallja e Iranit se i ka shkelur detyrimet ekzistuese të paktit bërthamor. Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për ta bërë paktin të funksionojë dhe për të përdorur të gjitha mjetet diplomatike për ta zbutur përshkallëzimin e tensioneve rajonale. E nxis Iranin që t’i shmanget çdo hapi tjetër larg JCPoA-së (Planit të Përbashkët të Veprimit) dhe të rikthehet në zbatim të saj.”
OKB, e cila ka krijuar një rezolutë lidhur me këtë pakt, i ka bërë thirrje Iranit që të vazhdojë me paktin. Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres është treguar shumë i shqetësuar lidhur me pasojat.
Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric tha: “Një veprim i tillë nga Republika Islamike e Iranit nuk do të ndihmonte në ruajtjen e planit, as nuk do t’i siguronte përfitimet e prekshme ekonomike për popullin iranian. Është thelbësore që kjo çështje … të adresohet përmes mekanizmit të krijuar nga [pakti bërthamor].”
Nëse regjimi nuk vazhdon ta zbatojë planin, OKB mund t’i rivendosë sanksionet brenda 65 ditësh.
Nënshkruesit europianë të paktit bërthamor me regjimin iranian thanë të martën se janë “jashtëzakonisht të shqetësuar” nga shkelja e paktit të 2015-ës nga Teherani.
“Na vjen keq për këtë vendim të Iranit, i cili vë në pikëpyetje një instrument thelbësor të mos-proliferimit,” thanë në një deklaratë të përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë. “E nxisim Iranin që ta kthejë mbrapsht këtë hap dhe të mos marrë masa të tjera që e sabotojnë paktin bërthamor,” thanë ata.
SHBA i vuri këto sanksione pas tërheqjes nga pakti bërthamor në 2018-ën, duke dhënë si shkak mosbindjen e Iranit. Shtetet e tjera – Britania, Franca, Gjermania, Kina, dhe Rusia – kanë vazhduar të qëndrojnë në këtë marrëveshje.