Koronavirusi COVID-19 vazhdon të përhapet në Iran dhe numri i vdekjeve po rritet gjithnjë e më shumë çdo orë që kalon.
Regjimi iranian vazhdon ende të mos e trajtojë seriozisht situatën dhe refuzon të veprojë me përgjegjësi për ta frenuar përhapjen e virusit.
Sipas raporteve të publikuara nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), deri të hënën, mbi 2600 njerëz kanë vdekur për shkak të koronavirusit. Vetëm në provincën Gilan, në veri të Iranit, kanë humbur jetën 408 vetë. Njerëzit kanë frikë nga çfarë i pret në të ardhmen, dhe janë të zemëruar për faktin që regjimi nuk merr masa dhe vazhdon të mos e trajtojë seriozisht shkallën ku ka arritur kriza.
Qeveritë në mbarë botën po marrin masa për t’i mbrojtur profesionistët e tyre mjekësorë. Përkundrazi, regjimi iranian po refuzon qëllimisht t’ua japë pajisjet mjekësore dhe ilaçet atyre që u nevojiten. Raportet nga vendi tregojnë se Korpusi famëkeq i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) grumbullon rezerva dizinfektuesish e maskash, dhe më pas i shet ato me çmim të lartë – dhjetëra herë më të lartë sesa vlera e tyre.
Shumë punonjës shëndeti në vend nuk kanë maska fytyre dhe Ministri i Shëndetit i regjimit e ka adresuar këtë situatë. Në një letër drejtuar Ministrit të Industrisë, Saeed Namaki shkruan: “Problemi i maskave shëndetësore nuk është zgjidhur ende dhe një rrjet i ndërlikuar i grumbullimit të maskave po i shet këto produkte me dhjetëfishin e çmimit.”
Regjimi ka bërë disa komente lidhur me abuzime të tilla, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Ebrahim Raisi, kryegjyqtari i regjimit dhe një nga autorët kryesorë të masakrës së 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë, tha në një intervistë më 1 mars se prokurorët e regjimit nuk duhet “të tregojnë mëshirë” përballë individëve që bëjnë veprime të tilla. Por këto fjalë janë pa kuptim kur shohim që IRGC grumbullon rezerva pajisjesh mjekësore për të fituar para.
Para përhapjes së Koronavirusit, maskat e fytyrës shiteshin për afërsisht 2,000 rial. Tani, ato shiten për më shumë se 60,000 rial në Kerman, dhe ka raporte se në vende të tjera njerëzit po përpiqen t’i shesin edhe për 150,000 rial copën.
Punonjësit e shëndetit të cilët natyrisht e kanë të pamundur t’i përballojnë këto çmime tronditës, po i prodhojnë vetë maskat, duke qenë se qeveria nuk ua jep.
Populli i Iranit po e bën të ditur realitetin e situatës. Ata po përdorin rrjetet sociale për të përhapur lajmin se si po reagojnë autoritetet. Raportet nga rrjetet sociale tregojnë se agjentët e IRGC-së kanë shitur aromatizues ajri të maskuar si “dezinfektues”. Ata ua ndryshojnë etiketat produkteve të përditshmërisë dhe i reklamojnë si produkte që ndihmojnë kundër virusit.
Regjimi nuk njeh kufij në mashtrimet e tij dhe duhet të mbahet përgjegjës për krijimin e një situate kaq të rëndë për popullin e Iranit, dhe për pjesën tjetër të botës.
Siç ka thënë Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI): “Regjimi i mullahëve, i cili është vetë shkaku kryesor i përhapjes shkatërrimtare të virusit, nuk e ka kompetencën dhe aftësinë për ta menaxhuar krizën dhe për ta ndihmuar popullin e Gilan-it apo mbarë kombin.”
Për këtë arsye, ajo i nxit të rinjtë e guximshëm që t’i ndihmojnë e të kujdesen për të infektuarit. Ajo u bën thirrje që të ndihmojnë për shpëtimin e jetës së bashkatdhetarëve të tyre, duke marrë ndërkohë masat e nevojshme parandaluese për vete.