Thursday, February 9, 2023

Reagimi Perëndimor ndaj Inaugurimit Presidencial në Iran Mund të Nxisë një Revoltë Popullore

Më 3 gusht, Ebrahim Raisi do të inaugurohet si presidenti i ri i Republikës Islamike të Iranit, dhe nuk ka dyshim që populli iranian do të shqyrtojë reagimet perëndimore ndaj këtij zhvillimi. Shumë komentatorë në komunitetin e mërgimtarëve aktivistë i kanë kritikuar tashmë këto qeveri për heshtrjen e tyre relative pas “zgjedhjes” së Raisi-t më 18 qershor, udhëheqësja e Rezistencës Iraniane, Maryam Rajavi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Europian do të përballen me një “test lakmusi” për parimet e tyre vetëm pasi Irani të hyjë në “epokën e tij të re” me inaugurimin e Raisi-t.

Rajavi i ka thënë këto fjalë në Samitin Botëror për Iranin e Lirë, një event i transmetuar live online globalisht, i organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit. Dhjetëra mbështetës amerikanë e europianë të NCRI-së kanë folur në këtë samit, shpesh duke përsëritur thirrjet e koalicionit për një hetim mbi historikun e Raisi-t dhe për ushtrimin e një presioni shumë më të rreptë mbi Republikën Islamike në tërësi.

Kjo perspektivë hetimesh ka të bëjë me rolin e Raisi-t në masakrën ndaj të burgosurve politikë në verën e vitit 1988. Si zëvendës prokurori publik i Teheranit në atë kohë, ai raportohet të ketë luajtur një rol kyç në “komisionin e vdekjes” i cili kishte për detyrë implementimin e fatwa-s së Ajatollah Khomeini-t, e cila i etiketonte anëtarët e grupeve opozitare si fajtorë për krimin kapital të njohur si Moharebeh, ose armiqësi kundër Zotit. Si rezultat i kësaj urdhërese fetare, llogaritet të jenë ekzekutuar brenda tre muajsh rreth 30,000 individë, shumica prej të cilëve ishin anëtarë të grupit kryesor aktivist pro demokracisë, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.

Që atëherë, zyrtarët iranianë dhe mediat shtetërore përgjithësisht kanë promovuar idenë se PMOI nuk ka qenë gjë tjetër veçse një “kult” në vitet pas kësaj masakre. Por kjo narrativë u hodh poshtë në janar 2018 kur vetë Lideri Suprem Ali Khamenei e pranoi se ky grup kishte luajtur një rol kyç në promovimin e një kryengritjeje mbarëkombëtare që ishte në kulmin e vet në atë kohë. Në mënyrë të ngjashme, PMOI-së iu atribuan edhe një varg demonstratash të mëvonshme po atë vit, të cilat përdornin të njëjtat sllogane anti-qeveritare, si dhe një kryengritje tjetër mbarëkombëtare, edhe më e madhe, në nëntor 2019.

Kjo kryengritje e fundit krijoi sfondin nga ku Raisi e shumëfishoi trashëgiminë e tij si dhunues i të drejtave njerëzore. Duke qenë se kishte marrë kryesimin e pushtetit gjyqësor disa muaj më herët, ai e drejtoi një pjesë të madhe të përgjigjes së regjimit ndaj atyre trazirave dhe ndihmoi për ta bërë situatën shumë më gjakatare sesa në periudhën pas kryengritjes së parë. Vetëm pak ditë pas shpërthimit të protestave në nëntor 2019, afërsisht 1,500 njerëz u vranë nga të shtënat e forcave të sigurisë dhe të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Të paktën 12,000 njerëz u arrestuan rreth të njëjtës kohë, dhe shumë prej tyre përfunduan nën torturë sistematike gjatë një periudhe disa-mujore.