Thursday, March 28, 2024

Fuqitë Botërore Qortojnë Regjimin Iranian për ‘Shantazhin Bërthamor’

Nga Amir Taghati

Fuqitë botërore e kanë dënuar regjimin iranian për shpalljen e tij të hënën se ka ndërmend ta shkelë kufirin e vënë mbi rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, kufi i cili është vendosur nën kushtet e paktit bërthamor ndërkombëtar të 2015-ës.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky vendim i regjimit është i barasvlefshëm me një “shantazh bërthamor” dhe duhet të përballet me “rritje të presionit ndërkombëtar.”

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Garrett Marquis, i bëri këto komente më 17 qershor pasi regjimi iranian i bëri realitet kërcënimet e tij për ta reduktuar më tej zbatimin e marrëveshjes që ka frenuar programin bërthamor të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve paralizuese ekonomike.

Nënshkruesit europiano-perëndimorë të paktit — Franca, Britania, dhe Gjermania – kanë këmbëngulur që Teherani të vazhdojë t’i zbatojë detyrimet e tij për sa i përket marrëveshjes. Parisi i ka bërë thirrje Teheranit që të jetë “i duruar dhe i përgjegjshëm,” ndërsa Londra ka thënë se do t’i “shikojë të gjitha opsionet” nëse Teherani nuk e zbaton marrëveshjen.

Në maj, regjimi iranian e ndali zbatimin e disa detyrimeve të marrëveshjes.

Pakti i kufizon rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të ulëta të regjimit në vlerën 300 kilogram hekzafluorid uraniumi të pasuruar me 3.67 përqind, ose të ekuivalentit të tij, për 15 vjet.

Në Uashington, Marquis tha se planet e regjimit iranian për pasurimin e uraniumit “janë të mundshme vetëm sepse pakti i tmerrshëm bërthamor ua ka lënë të paprekura kapacitetet e tyre.”

Presidenti Donald Trump “e ka bërë të qartë që nuk do ta lejojë kurrë Iranin të zhvillojë armë bërthamore,” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar: “Shantazhi bërthamor i regjimit duhet të përballet me presion të rritur ndërkombëtar.”

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, tha se kjo shpallje e Teheranit “nuk habit askënd” dhe se komuniteti ndërkombëtar “nuk duhet t’i dorëzohet shantazhit bërthamor.”

Duke folur në një konferencë për shtyp në Paris, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se i “vjen keq” për vendimin e regjimit iranian, duke shtuar se Franca “e nxit me forcë Iranin që të mbajë një qëndrim të duruar e të përgjegjshëm.”

Macron përsëriti se i parapëlqen ta ruajë paktin bërthamor por dëshiron bisedime të reja për të përfshirë veprimtaritë e raketave balisitke të regjimit.

Një zëdhënës për Kryeministren britanike Theresa May tha se qeveria e saj ka qenë “e qartë për shqetësimin tonë lidhur me planet iraniane për ta reduktuar zbatimin” e marrëveshjes bërthamore.

“Nëse Irani e ndalon zbatimin e detyrimeve të tij bërthamore, atëherë do t’i shohim të gjitha opsionet që disponojmë,” tha zëdhënësi.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se është “detyra e Iranit që të vazhdojë t’i mbajë përgjegjësitë e tij.”

“Irani nuk mund t’i thotë palëve të tjera të marrëveshjes se duhet të bëjnë më shumë, ndërkohë që vetë bën më pak se ç’thotë marrëveshja,” tha Maas në Luksemburg.