Friday, July 26, 2024

Rikthimi i Sanksioneve dhe Aktivizimi i Mekanizmit ‘Snapback’: Pasojat për Regjimin e Iranit

 

Shtetet e Bashkuara kanë aktivizuar mekanizmin ‘snapback’, një provizo e paktit bërthamor të 2015-ës të Iranit me fuqitë botërore, duke dhënë si shkak veprimtaritë e paligjshme të regjimit iranian dhe shkeljet e vazhdueshme të detyrimeve të tij nën kushtet e marrëveshjes. Rivendosja e sanksioneve do të ketë pasoja të rënda për regjimin.

Të hënën, Sekretarët amerikanë të Shtetit, Mbrojtjes dhe Thesarit, në një konferencë të përbashkët për shtyp, shpallën rivendosjen e vargut të parë të këtyre sanksioneve mbi regjimin e mullahëve. Ata shpallën vënien e sanksioneve të reja, sipas një Urdhri Ekzekutiv nga Presidenti amerikan Donald J. Trump, për sa i përket rikthimit të të gjitha sanksioneve mbi regjimin iranian.

Gjithashtu, gjatë konferencës për shtyp të hënën, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, duke kritikuar marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore në 2015-ën, e quajti atë “një ushtrim në paqësim,” i cili “i dhuroi biliona regjimit dhe përgatiti terrenin që Irani të bëhej tregtari i zgjedhur i armëve për grupe terroriste e diktatorë në mbarë botën brenda vetëm pesë vitesh.”

Regjimi iranian ka qenë nën këto sanksione më përpara, por cili është ndryshimi këtë herë? A do të rikthehet situata e regjimit në atë që ka qenë para nënshkrimit të paktit bërthamor?

  1. Siç e ka përmendur Sekretari Pompeo, regjimi iranian e ka gëzuar për vite të tëra politikën e paqësimit nga qeveritë perëndimore. Për shkak të politikës së paqësimit, shumë nga sanksionet nuk janë implementuar plotësisht, dhe regjimi e ka përdorur këtë mundësi për të vazhduar me veprimtaritë e tij të paligjshme.
  2. Ç’është më e rëndësishmja, situata e shoqërisë iraniane ka ndryshuar shumë. Dy protesta të mëdha iraniane në 2018-ën dhe 2019-ën i kanë shkundur themelet e regjimit. Populli iranian, veçanërisht gjatë protestave të nëntorit, duke sakrifikuar mbi 1500 dëshmorë, tregoi dëshirën e tij për ndryshim regjimi. Kjo dëshirë dhe vendosmëri u reflektuan edhe në slloganet e tyre si “vdekje diktatorit.” Ata refuzuan gjithashtu politikat luftënxitëse të regjimit duke thirrur “As Gaza, as Libani, jeta ime vetëm për Iranin.”
  3. Për shumë vite, regjimi iranian e ka përdorur politikën e paqësimit të qeverive perëndimore dhe luftërat në rajon për të vazhduar me politikat e tij luftënxitëse dhe për të eksportuar kaosin e brendshëm jashtë vendit. Duke i quajtur Irakun, Jemenin, Libanin, dhe Sirinë “thellësinë strategjike” të tij, regjimi iranian e ka përdorur mundësinë, veçanërisht Luftën e Dytë të Gjirit Persik, për ta rritur praninë dhe dominimin e tij vdekjeprurës në rajon. Forcat Quds të Gardës Revolucionare (IRGC)dhe komandanti i tyre, Qassem Soleimani, kanë avancuar plotësisht me politikat luftënxitëse të mullahëve dhe kanë përhapur frikë e kaos në Lindjen e Mesme. Eliminimi i Qassem Soleimani-t dhe protestat e vazhdueshme në Irak, Liban e Siri, si dhe krijimi i një fronti ndërkombëtar kundër terrorizmit të regjimit, e kanë shkatërruar tashmë “thellësinë strategjike” të regjimit.
  4. Për shkak të korrupsionit të institucionalizuar, keqpërdorimit të pasurisë kombëtare për të financuar terrorizmin, dhe politikave të gabuara ekonomike, regjimi iranian është në prag të një asfiksimi ekonomik. Sanksionet i kanë tharë burimet e mullahëve për ndjekjen e veprimtarive të paligjshme në rajon. Politikat e gabuara ekonomike të regjimit dhe korrupsioni i kanë shtyrë drejt varfërisë edhe më shumë qytetarë iranianë, duke e shndërruar kështu shoqërinë iraniane në një fuçi baruti.
  5. Krahas krizave ekonomike e shoqërore, regjimi iranian dhe populli po luftojnë tani kundër pandemisë së COVID-19. Politika e regjimit për t’i përdorur viktimat në masë të COVID-19-ës për të parandaluar një tjetër kryengritje, politikë si pjesë e së cilës mullahët kanë vazhduar me mosveprimin e fshehjen kriminale të fakteve, ka dështuar për shkak të njohurive në rritje të popullit dhe protestave të tij të vazhdueshme.

Pikat e mësipërme tregojnë se nga rikthimi i sanksioneve dhe aktivizimi i mekanizmit ‘snapback,’ pasojat për regjimin e Iranit do të jenë krejtësisht ndryshe nga situata nën sanksionet e mëparshme.