Friday, March 29, 2024

Regjimi i Iranit Vazhdon me Mashtrimet e Tij Bërthamore, Duke Shfrytëzuar Mosveprimin e Komunitetit Ndërkombëtar

Iran: Mullah’s Historic Nuclear Claims Grow Less And Less Credible

Të dielën, agjencia bërthamore e OKB tha se Teherani ka refuzuar t’u përmbahet kushteve të një marrëveshjeje të lidhur dy javë më parë, e cila lejonte inspektorët të kontrollonin pajisjet monitoruese bërthamore. Edhe një herë, regjimi iranian ia doli ta mashtronte komunitetin ndërkombëtar.
Në një deklaratë të dielën, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nënvizoi: “Drejtori i Përgjithshëm (i IAEA-së) (Rafael Grossi) thekson se vendimi i Iranit për të mos i lejuar agjencisë akses në TESA, punishten prodhuese të komponentëve të centrifugave në Karaj, bie në kundërshtim me kushtet për të cilat është rënë dakord në deklaratën e përbashkët të 12 shtatorit.”
Në vigjilje të njërës prej mbledhjeve të Bordit të Guvernatorëve të IAEA-së, Grossi arriti në një marrëveshje me Teheranin, marrëveshje e cila u lejonte inspektorëve të IAEA-së të kontrollonin pajisjet e monitorimit. Kjo deklaratë e përbashkët u publikua në një kohë kur shumë fuqi perëndimore po merrnin në konsideratë marrjen e masave më serioze kundër veprimeve provokative të Teheranit.

Me fjalë të tjera, regjimi arriti të shmangte marrjen e kundërmasave ndaj shantazheve bërthamore dhe provokimeve të tij të përshkallëzuara duke mashtruar kreun e IAEA-së. Regjimi iranian nuk ka patur kurrë ndër mend ta ndalonte programin e tij bërthamor. Ndërkohë që fuqitë perëndimore i konsiderojnë negociatat me regjimin si e vetmja metodë për ta vënë nën kontroll programin e tij bërthamor, regjimi i përdor këto negociata për të fituar kohë dhe për ta çuar përpara në mënyrë të fshehtë programin e tij bërthamor.
Në një intervistë televizive në 2019-ën, Ali Bagheri Kani, zëvendës ministri i jashtëm aktual dhe një nga negociatorët potencialë me fuqitë botërore shpjegoi se si regjimi i ka përdorur negociatat për të fituar kohë për përparime bërthamore dhe më vonë i ka përdorur ato si mjete për shantazhin e tij bërthamor.