Në botën e sotme konkurruese ku ekspertiza, inovacionet, përparimet dhe efikasiteti janë produkte në të cilat shumica e vendeve të botës po investojnë shumë, me qëllim që të fitojnë epërsinë dhe për të cilat, nganjëherë, ofrojnë stimuj tejet të lartë në mënyrë që të sigurojnë elitën intelektuale të botës për shtetet e tyre, autoritetet në Iran nguten të punësojnë të afërmit e tyre në poste qeveritare fitimprurëse, pavarësisht njohurive, ekspertizës dhe kostos së tyre. Në fakt, nepotizmi në Iran nuk është një fenomen i ri dhe ka qenë një praktikë e zakonshme që nga fillimi i sundimit të Republikës Islamike. Në strukturën dhe formacionin politik iranian, anëtarët e familjes së elitave qeverisëse luajnë gjithmonë role të rëndësishme.
Nepotizmi ka qenë i shfrenuar mes presidentëve iranianë. Ish-presidenti i Iranit, i ndjeri Hashemi Rafsanjani emëroi vëllain e tij, Mohammad Hashemi, si zëvendëspresident për çështjet ekzekutive. Në mënyrë të ngjashme, Mohammad Khatami emëroi vëllanë e tij, Ali Khatami, si shef të shtabit të tij. Mahmoud Ahmadinejad emëroi vëllain e tij, Davoud Ahmadinexhad, në krye të zyrës së inspektimit të presidentit.
E njëjta tendencë mund të vërehet tek zyrtarët e rangut të mesëm në nivel provincial në vend. Si shembull, guvernatori i provincës Sistan dhe Baluchistan, në Iranin juglindor, ka emëruar nipin e tij si guvernator të Zahedanit, qendrës së provincës.
Pas fitores së Mohammad Khatami në 1997-ën, vëllai i tij, Mohammad Reza Khatami, i cili ishte një person i panjohur, mori numrin më të lartë të votave në Teheran në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000 dhe përfundimisht u bë nënkryetar i parlamentit.
Jo shumë muaj më parë, degët legjislative dhe gjyqësore të Iranit drejtoheshin nga dy vëllezër, Ali Larijani dhe Sadeq Larijani. Vëllai i tyre i tretë, Javad Larijani, është kryetar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Iranit. Vëllai i tyre i katërt, Bagher Larijani, ka qenë zëvendësministër i Shëndetësisë.
Më 15 korrik 2017, zyrtarët gjyqësorë iranianë arrestuan Hassan Fereidoun, vëllain e ish-presidentit të Iranit, njëherazi këshilltar i tij special. Ai u përball me akuza për parregullsi financiare. Më pas raportohet se ai, për shkak të gjendjes shëndetësore, u dërgua në spital, nga ku u lirua. I gjithë episodi zgjati vetëm 24 orë.
Vështirë se mund të gjesh një zyrtar të lartë në Republikën Islamike, anëtarët e ngushtë të familjes së të cilit nuk mbajnë poste të larta.
Kohët e fundit, kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Zakani, emëroi dhëndrin e tij Hossein Heidari si këshilltarin e tij të posaçëm për menaxhimin urban. Kur protestat u përshkallëzuan në shtyp dhe në televizionin shtetëror dhe tërhoqën vëmendjen e të gjithëve me një përzierje batutash dhe sarkazmash, kryebashkiaku Alireza Zakani tha se dhëndri i tij Hossein Haidari do të punonte pa pagesë. Për shkak të zemërimit dhe kritikave publike, Zakani u detyrua ta pushonte nga puna punonjësin e tij.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve ILNA, Zahra Nejad Bahram, një aktiviste e ashtuquajtur “e moderuar”, tha: “Emërimi i dhëndurëve dhe nuseve nuk është gjë e mirë për qeverinë. Presidenti duhet të ndërhyjë në disa emërime. Nuk duhet ta degradojmë vendin”. Ajo shton: “Ministri i propozuar i Arsimit që iu prezantua parlamentit kishte vetëm drejtimin e një shkolle në portofolin e tij!”.
Sa më sipër është vetëm maja e ajsbergut të përmasave kolosale të korrupsionit në institucionet qeveritare të drejtuara familjarisht. Fakti është se rastet e korrupsionit dhe grabitjes së burimeve të popullit iranian, si dhe nepotizmi dhe miqësitë në postet qeveritare, janë të zakonshme. Ato nuk kufizohen në një administratë dhe janë bërë emërues i përbashkët i të gjitha administratave.
Korrupsioni dhe nepotizmi janë plotësisht të institucionalizuara kur bëhet fjalë për regjimin. Janë këta faktorë, së bashku me shtypjen çnjerëzore të popullit iranian, që i lidhin bashkë zyrtarët dhe udhëheqësit e regjimit në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për ta kapur dhe ruajtur pushtetin në një regjim tashmë të dobët.