Thursday, March 28, 2024

Mbrojtja Joefektive e Hamid Noury-t Hap Rrugën për Ndjekjen Penale të Raisi-t të Iranit

Javën e kaluar, një gjykatë rrethi në Stokholm zhvilloi tre seanca në të cilat Hamid Noury, ish-zyrtar i burgjeve iraniane, foli në mbrojtje të vetvetes. Noury u arrestua pas mbërritjes në Suedi në vitin 2019 dhe më pas u akuzua për krime lufte dhe vrasje në masë mbi bazën e provave se ai kishte marrë pjesë në masakrën ndaj të burgosurve politikë gjatë verës së vitit 1988. Që nga fillimi i procedimeve ndaj tij në gusht, gjykata ka dëgjuar nga më shumë se 20 dëshmitarë okularë të atij krimi kundër njerëzimit, duke përfshirë shtatë persona që banojnë në Shqipëri, në kompleksin e ndërtuar nga Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Prokurorët kërkuan që gjyqi të zhvendosej përkohësisht në Shqipëri në fillim të nëntorit, duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre dëshmive. MEK është zëri kryesor për një alternativë demokratike ndaj diktaturës teokratike të Iranit dhe në vitin 1988, kjo organizatë ishte shënjestra kryesore e masakrës mbarëkombëtare, e përcaktuar si e tillë nga fetvaja e lëshuar nga Udhëheqësi Suprem i atëhershëm Ruhollah Khomeini. Ajo fetva i shpalli të gjithë mbështetësit e MEK-ut si fajtorë për “armiqësi kundër Zotit” dhe si rrjedhim, Khomeini i udhëzoi zyrtarët që “t’i asgjësonin menjëherë armiqtë e Islamit [regjimit]”.

Në bazë të këtij urdhri, në qytetet anembanë Iranit u formuan komitete, të cilat tashmë njihen si “komisionet e vdekjes”. I pari prej tyre, në Teheran, kishte juridiksion mbi burgjet Evin dhe Gohardasht. Ky i fundit ishte vendi në të cilin Noury punonte në kohën e masakrës. Ish të burgosurit në secilin prej këtyre burgjeve kujtojnë se si shokët e tyre i çonin në “sallën e vdekjes” dhe më pas në trekëmbësh në grupe prej një duzine ose më shumë. Komisioni i vdekjes i Teheranit ndihmoi për të vendosur një ritëm ekzekutimi që përfundimisht do të çonte në varjen e 30,000 njerëzve dhe varrosjen e tyre në varre masive sekrete, brenda rreth tre muajsh, në të gjithë Iranin.