Ndalimi i Cisternës me Flamur Britanik nga Regjimi Iranian, i Papranueshëm: Pronari

593

Shkruar nga Shahriar Kia

Ndalimi i anijes cisternë me flamur britanik, Stena Impero, nga regjimi iranian është “i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm” dhe ka shqetësime rreth mirëqenies së ekuipazhit pas 19 ditësh në arrest, tha të martën pronari i anijes.

Garda Revolucionare (IRGC) e regjimit iranian më 19 korrik kapi anijen Stena Impero në Ngushticën e Hormuzit duke shkelur kështu ligjet detare. Kjo gjë ndodhi dy javë pas kapjes nga Britania të një cisterne iraniane nafte pranë Gjibraltarit për shkelje të sanksioneve mbi Sirinë.

Britania e ka përjashtuar vazhdimisht mundësinë e një shkëmbimi cisternash.

Kjo sagë i ka përkeqësuar tensionet mes Teheranit dhe Perëndimit të cilat nisën që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga një marrëveshje ndërkombëtare që kufizonte programin bërthamor të regjimit iranian dhe rivendosën sanksionet ekonomike.

Shefi ekzekutiv dhe presidenti i Stena Bulk, Erik Hanell, ka thënë se kompania ka komunikim të kufizuar me ekuipazhin e anijes, sipas Reuters.

“Edhe pse ata janë në shëndet të mirë duke marrë parasysh rrethanat, ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për mirëqenien e tyre nisur nga koha e gjatë që janë mbajtur në arrest,” tha ai në një deklaratë.

23 detarët e anijes janë me kombësi indiane, ruse, letoneze dhe filipinase, ka thënë kompania.

Hanell tha se më 3 gusht konsullata finlandeze ka vizituar anijen, në emër të autoriteteve letoneze.

“Përfaqësuesi finlandez tregoi se anëtarët e ekuipazhit janë mirë me shëndet, por kohëzgjatja e robërisë mbetet një shqetësim i konsiderueshëm për ta,” tha Hanell.

“Duam të theksojmë rrethanat e vështira me të cilat ata po përballen si rezultat i kësaj situate në vazhdim.”

Kompania tha se nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare nga autoritetet në Iran lidhur me kërkesën e saj për të vizituar anijen.

Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani kërcënoi të martën se regjimi do të vazhdojë ta pengojë transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, deri sa t’i plotësohen kërkesat.

Të hënën, Britania iu bashkua Shteteve të Bashkuara në një mision të sigurisë detare në Gjirin Persik për të mbrojtur anijet tregtare që lundrojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.