Irani po përjeton kriza të shumta ekonomike. Populli iranian vuan nga rritja ekstreme e çmimeve. Ndërkohë që shumë përpiqen të fajësojnë sanksionet për vështirësitë e popullit, faktet e pranuara nga mediat shtetërore tregojnë se si korrupsioni dhe politikat e gabuara të regjimit e kanë dëmtuar ekonominë e Iranit.
“Duket se rrënjët e inflacionit dhe rënies ekonomike gjenden në mungesën e përgjegjësisë dhe në neglizhencën e zyrtarëve,” shkruante më 9 qershor 2021 e përditshmja shtetërore Hamdeli.
Një nga arsyet kryesore të rritjes së inflacionit në Iran është sasia tepër e madhe e likuiditetit, e cila nuk përputhet me prodhimin dhe ekspotet e Iranit.
“Situata e tregut të parave është bërë alarmuese gjatë tre viteve të fundit. Likuiditeti po rritet vazhdimisht nën hijen e rritjes së koefiçentit të likuiditetit pa asnjë ndryshim në sasinë e prodhimit në vend,” shkruante të mërkurën e përditshmja shtetërore Jahan-e Sanat.
“Shkaku i rritjes së likuiditetit mund të gjendet tek rritja e shpenzimeve të qeverisë që i kalojnë të ardhurat e saj. Kështu, printimi i kartmonedhave nga rritja e aseteve të huaja të bankës qendrore apo lëshimi i bonove të thesarit mund të konsiderohet si burimi i qeverisë për kompensimin e defiçitit të saj buxhetor,” shton Jahan-e Sanat.
“Shpenzimet aktuale vetëm të qeverisë llogariten të jenë në shifrën nëntë kuadrilion toman këtë vit. Të ardhurat e qeverisë nga taksat nuk e mbulojnë as një të tretën e kësaj shume.
Si rezultat, kur shpenzimet i tejkalojnë të ardhurat, qeveria ose fillon të printojë kartmonedha, lëshon bono thesari, ose merr hua nga banka qendrore,” thotë Jahan-e Sanat.
Jahan-e Sanat shton se, për sa kohë që regjimi do të vazhdojë me të njëjtën procedurë, likuiditeti dhe inflacioni “do të rriten me shpejtësi.”