Masat Frikësuese dhe Shtypëse të Regjimit Iranian do ta Shtojnë edhe më Shumë Trazimin e Shoqërisë

627

 

Filmimet nga Irani të mërkurën tregojnë policinë e regjimit që poshtëron të rinj në rrugë. Nën pretekstin e luftimit të krimit dhe banditëve, kjo masë çnjerëzore është një tjetër përpjekje e dëshpëruar për ta frikësuar publikun.

Regjimi i quan “banditë” të rinjtë e rebeluar për t’ua njollosur imazhin, ndërkohë që të rinjtë vazhdojnë të marrin në shënjestër qendrat represive të regjimit. Si rrjedhim, regjimi i justifikon masat e tij shtypëse kundër të rinjve të rebeluar.

“Banditët” e vërtetë, të cilët vranë 1500 protestues paqësorë gjatë protestave të mëdha të Iranit në nëntor, janë të mbrojtur zyrtarisht dhe mbajnë uniforma ose të Gardës Revolucionare (IRGC), ose të policisë. Gjithashtu, banda të organizuara e të lidhura me regjimin qarkullojnë lirisht nëpër qytete me thika e terrorizojnë publikun, dhe u zhvatin para njerëzve. Ndërkohë që këto ndodhin, regjimi i mullahëve i arreston, ua pret duart ose i ekzekuton ata njerëz fatkeqë që detyrohen të vjedhin për bukën e gojës.

Paralelisht me këto zhvillime, zyrtarët e sigurisë të regjimit shpallën së fundmi se kanë formuar skuadra lokale vrasësish. Këto skuadra, patrullat Razaviyoun, dhe grupe të tjera të reagimit të shpejtë operojnë në mbarë Iranin për të shtypur popullin dhe për ta vënë disi nën kontroll shoqërinë e trazuar.

Të dielën, agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim citoi Gjeneral Brigadierin e IRGC-së, Mohammad Motahari, i cili thotë: “Në provincën Kerman, 40 batalione sigurie janë formuar për t’u marrë me trazirat dhe për të vendosur sigurinë urbane.”