Thursday, March 28, 2024

Macron Paralajmëron Rouhani-n për Pasojat Nëse Regjimi Iranian e Shkel më Tej Paktin Bërthamor

Shkruar nga Shahriar Kia 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i tha të shtunën Presidentit të regjimit iranian, Hassan Rouhani, se është thellësisht i shqetësuar nga çdo dobësim i mëtejshëm i paktit bërthamor të 2015-ës nga Teherani dhe paralajmëroi se çdo lëvizje e tillë do të ndiqet nga pasoja të pashmangshme.

Presidenti Macron foli me Rouhani-n një ditë para se Teherani ta rriste, sipas planit, pastërtinë e pasurimit të uraniumit mbi limitin e vendosur nga pakti me fuqitë botërore, raporton Reuters.

“Presidenti rikujtoi shqetësimin e tij të thellë përballë rrezikut të një dobësimi të ri të paktit bërthamor të 2015-ës, dhe pasojat që do të vinin medoemos,” tha një deklaratë nga presidenca franceze.

Është e paqartë se për çfarë pasojash e kishte fjalën saktësisht deklarata, thotë Reuters.

Diplomatët europianë kanë thënë se shkeljet e mëtejshme të paktit mund të bëjnë që palët europiane të marrëveshjes – Franca, Britania dhe Gjermania – të nisin një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes brenda paktit, gjë që mund të çojë në rivendosjen e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Macron tha se kishte rënë dakord me Rouhani-n për të eksploruar, deri më 15 korrik, kushte për të “mundësuar rifillimin e dialogut midis të gjitha palëve.”

Deklarata nuk e saktësonte se pse pikërisht deri më 15 korrk, dhe nuk e shtjellonte më tej.