Tuesday, October 3, 2023

Lufta në Ukrainë Ringjall “Rezistencën”. BE-ja Duhet ta Çmojë Këtë Vlerë Universale

Shkruar nga Alejo Vidal Quadras

“Cila është detyra jonë?” ishte pyetja e parë që i bëra vetes kur Rusia pushtoi Ukrainën. Mund ta shihja të gjithë demokracinë europiane të kërcënuar nga agresioni i dhunshëm. Lufta dhe totalitarizmi janë jashtë kontrollit.

Pyesja veten cila do të ishte përgjigja e Ukrainës ndaj kësaj shkeljeje të dukshme të Kartës së OKB-së? Pastaj erdhi lajmi se njerëzit në të vërtetë po i kundërpërgjigjen sulmit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zgjodhi të mos udhëheqë nga larg dhe të mos ia mbathë nga agresioni rus. Përkundrazi, ai bëri thirrje për “Rezistencë”, gjë që i dha përgjigje pyetjes time. Pashë se si drita e Rezistencës mund ta kapërcejë sërish hijen e mosveprimit dhe pacifizmit.

Të martën, Presidenti Zelenskyy iu drejtua ligjvënësve evropianë. Në një fjalim emocionues dhe frymëzues, Zelenskyy tha se ukrainasit po luftojnë për të ardhmen e Evropës. Ai ka te drejtë.

Ai tha: “Ne i kemi dëshmuar forcat tona. … Kemi vërtetuar se, minimalisht, ne jemi njësoj si ju. Prandaj, tregoni që jeni me ne, tregoni se nuk do të na braktisni. Tregoni se jeni vërtet europianë.” Topi tani është në fushën e Europës. Ne duhet të ndërmarrim veprime vendimtare dhe të mbështesim rezistencën e guximshme të popullit ukrainas në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

Kur isha nënkryetar i Parlamentit Europian, gjithmonë përpiqesha ta çmoja vlerën e “Rezistencës”. Në atë kohë, unë dhe kolegët e mi mbështesnim lëvizjen e organizuar të Rezistencës të popullit iranian, e cila lufton kundër regjimit klerikal në Teheran. Anëtarët e kësaj lëvizjeje po sulmoheshin në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak nga mercenarët e Teheranit dhe regjimi i tij kukull në Bagdad. Qeveritë e SHBA-së dhe ato europiane nuk i përmbushën angazhimet e tyre për të mbrojtur banorët e Ashrafit, por ato gra dhe burra të guximshëm zgjodhën të bënin rezistencë vetë. Ashtu si populli ukrainas, ata u përballën me një forcë shumë më të dhunshme dhe të pajisur shumë më mirë se ata vetë. Banorët e Ashrafit, në fakt, nuk kishin absolutisht asnjë armë dhe mund të përdornin vetëm duart dhe zellin e tyre për t’u mbrojtur. Këmbëngulja e tyre çoi në një mobilizim global dhe më në fund rezultoi në zhvendosjen e tyre të sigurt në Shqipëri, ku ata po vazhdojnë me pasion luftën e tyre për përmbysjen e regjimit iranian.

Bota po shikon dhe admiron popullin ukrainas që po mban qëndresë me guxim. Siç tha Presidenti Zelenskyy, ne duhet të nderojmë vlerat tona demokratike, për të cilat u vranë miliona europianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ashtu si nazistët në atë luftë shkatërrimtare, pothuajse të gjitha shtetet e rrezikshme dhe diktatoriale në botë po mbështesin pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Fashizmi fetar që sundon Iranin e priti me krahë hapur luftën në Ukrainë. Regjimi terrorist në Teheran po përpiqet dëshpërimisht ta shfrytëzojë këtë katastrofë.

Pasi u përballën me tetë kryengritje të mëdha mbarëkombëtare vetëm në katër vitet e fundit, teksa gjithnjë e më shumë njerëz në Iran zgjedhin t’i bashkohen rezistencës kundër fashizmit fetar, dhe në mes të izolimit gjithnjë e më të madh ndërkombëtar të Teheranit, mullahët luftënxitës po përpiqen të kapen pas çdo mundësie për ta mbrojtur pushtetin e tyre që po shkatërrohet.

Ebrahim Raisi, presidenti i vrasjeve në masë i regjimit iranian, dhe ministri i tij i jashtëm, mbështetën pushtimin e Rusisë, duke nxjerrë në pah natyrën ekspansioniste të kësaj lufte të padrejtë si për iranianët, ashtu edhe për qytetarët e botës së lirë.

Deklaratat e Raisit nuk ishin të papritura. Si “gjyqtari i varjes” që dërgoi dhjetëra mijëra të burgosur politikë në trekëmbësh gjatë gjenocidit të vitit 1988 në Iran, nuk është çudi që ai mbështet luftën e përgjakshme në Ukrainë, luftë e cila ka çuar në mijëra të vdekur civilë deri më tani dhe në qindra mijëra refugjatë.

Raisi dhe mentori i tij, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, përpiqen ta shfrytëzojnë situatën aktuale me pritshmërinë e mbështetjes së Rusisë në bisedimet bërthamore të Vjenës. Raisi u kërkoi hapur qeverive perëndimore që të pranojnë “dhënien e garancive të verifikueshme, dhënien fund pretendimeve politike dhe heqjen e sanksioneve”.

Nëse ka një mësim që agresioni rus i paramenduar dhe i paprovokuar i ka dhënë Evropës, është se paqësimi dhe dobësia përballë bullizuesve dhe tiranëve prodhon më shumë kaos dhe shkatërrim. Europa nuk duhet të bjerë pre e bullizmit dhe shantazheve bërthamore të Teheranit. Mullahët i kanë shkelur angazhimet e tyre sipas kushteve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Përveç kësaj, regjimi iranian ka zgjeruar dhe rritur mbështetjen e tij ndaj terrorizmit ndërkombëtar. Vlerat demokratike të Europës janë diametralisht të kundërta me natyrën tiranike të regjimit dhe shkeljet e tij të tmerrshme të të drejtave të njeriut.

Lufta e fundit pushtuese në Ukrainë është një shembull i përsosur se mosveprimi dhe paqësimi ndaj një shteti luftënxitës në fund çon në luftë. Shembujt historikë janë të shumtë. Pas Marrëveshjes së Mynihut në vitin 1939, kryeministri britanik Neville Chamberlain pretendoi se kishte sjellë “paqe për kohën tonë”. Menjëherë pas kësaj, Gjermania naziste sulmoi Poloninë dhe një luftë totale e zhyti Evropën dhe botën në vdekje dhe shkatërrim të paimagjinueshëm.

Të martën, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se Këshilli nuk do t’i “shpëtojë” përgjegjësive të tij. Dhe vërtetë, ne nuk do të dorëzohemi para kërkesave të diktatorëve. Epoka e paqësimit ka përfunduar. Dhe, më e rëndësishmja, siç po na mësojnë të gjithëve ukrainasit e guximshëm, veprimet flasin më shumë se fjalët kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vlerave demokratike. Është koha që të ngrihemi në mbrojtje të vlerave tona europiane të rezistencës dhe demokracisë, dhe paralelisht me mbështetjen për pavarësinë e Ukrainës, të mbështesim edhe popullin iranian dhe përpjekjen e tij për çlirim nga tirania. Veprime të tilla përforcojnë njëri-tjetrin dhe në fund fuqizojnë një Europë të bashkuar.

Dr. Alejo Vidal-Quadras

Alejo Vidal-Quadras, profesor i fizikës atomike dhe bërthamore, ka qenë nënkryetar i Parlamentit Europian nga viti 1999 deri në vitin 2014. Ai është President i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ)