Korrupsioni i vazhdueshëm shtetëror kontribuoi në shembjen e ndërtesës Metropol
Një pjesë e madhe e ndërtesës 10-katëshe Metropolit që ishte në ndërtim e sipër në qytetin Abadan, provinca Khuzestan, u shemb përtokë të hënën, më 23 maj, duke lënë dhjetëra të vrarë, të plagosur ose të zhdukur.
Numri i të vdekurve nga shembja e ndërtesës Metropol u rrit në 28 të shtunën, sipas mediave shtetërore, duke e bërë këtë fatkeqësinë më të rëndë të këtij vendi në vite.
Raportet tregojnë gjithashtu se më shumë se 30 automjete janë varrosur nën rrënojat masive.
Për disa orë pas shembjes së ndërtesës Metropol, autoritetet nuk ndërmorën asnjë veprim, si për shembull dërgimin e makinerive të rënda të nevojshme për të ndihmuar në përpjekjet për shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë njerëz që nxirrnin me duart e veta viktimat dhe të mbijetuarit nga poshtë rrënojave.
Pse u shemb ndërtesa Metropol?
Mediat shtetërore pranuan se një vit më parë, ekspertët kishin paralajmëruar mundësinë e shembjes së ndërtesës Metropol për shkak të strukturave të dobëta, por zyrtarët e regjimit i shpërfillën paralajmërimet.
Në bazë të dokumenteve të publikuara në rrjetet sociale, ka pasur disa paralajmërime për ndërtimin e godinës Metropol, e fundit prej të cilave daton një muaj më parë.
Populli iranian po fajëson keqmenaxhimin dhe korrupsionin e regjimit për shembjen e ndërtesës Metropol.
Hossein Hamidpour, kryebashkiaku i Abadanit, shkoi në vendngjarje disa orë pas shembjes së ndërtesës Metropol. Megjithatë, vendasit e sulmuan atë dhe e detyruan të largohej nga zona, sipas një raporti të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve ILNA.