Kimia Alizadeh, e vetmja medaliste olimpike femër e Iranit, largohet nga Regjimi Iranian

774

Kimiya Alizadeh, e vetmja medaliste olimpike femër e Iranit, ka thënë se është larguar nga Republika Islamike në një letër të ashpër online, ku e përshkruan veten si “një nga miliona gratë e shtypura në Iran.” Atletja e Taekwondo-s, Kimia Alizadeh, e ka postuar këtë letër në Instagram.

Alizadeh u bë gruaja e parë iraniane me medalje olimpike pasi fitoi medaljen e bronzit në kategorinë 57kg në Taekwondo, në Lojërat Olimpike të 2016-ës.

Largimi i kampionëve të sportit nga regjimi i Iranit është intensifikuar muajt e fundit si rezultat i kryengritjes së popullit iranian, shtimit të shtypjes dhe vrasjeve në Iran, dhe të veprimtarive terroriste rajonale e ndërkombëtare të regjimit të mullahëve. Muajt e fundit, Saeed Malai, kampioni botëror në Judo, Mohammad Shahnawazi i peshëngritjes, Sadaf Khadem e boksit të femrave, Mobin Kahraza, boksier, dhe Alireza Firouzja, janë arratisur nga regjimi i mullahëve.

Kimi Alizadeh i ka dërguar popullit iranian një letër tronditëse në Instagram:

Si duhet ta filloj, me urime, lamtumirë, apo ngushëllime?

Lavdi popullit të shtypur të Iranit. Lamtumirë popullit fisnik të Iranit. Ngushëllime për ju, popull i shtypur i Iranit.

Unë jam një nga miliona gratë e shtypura në Iran, me të cilat ata kanë vite që luajnë. Më kanë çuar kudo që kanë dashur. Kam veshur çfarëdo që më thoshin ata. Çdo fjali që më urdhëronin ta thosha, unë e përsërisja. Më kanë shfrytëzuar sa herë që kishin nevojë.

Nuk isha e rëndësishme për ta. Askush prej nesh nuk kishte rëndësi për ta, ishim thjesht vegla.

Në mendjet tuaja misogjiniste dhe anti-gra, mendonit gjithnjë se Kimia është femër dhe e dobët! Shpirti im i trazuar nuk përshtatet me lidhjet tuaja të ndryra ekonomike apo lobet politike reaksionare. Nuk dua asgjë tjetër përveç Taekwondo-s, sigurisë dhe një jete të lumtur e të shëndetshme.

I dashur popull iranian, nuk desha ta promovoja karrierën time mbi bazën e korrupsionit dhe gënjeshtrave.

Nuk më ka ftuar askush në Europë. Por e duroj dhimbjen dhe vuajtjen në mërgim, sepse nuk dua të jetoj në hipokrizi, gënjeshtra, padrejtësi dhe lajka. Ky vendim është edhe më i vështirë se sa të fitosh medaljen e artë olimpike. Por mbetem bijë e Iranit kudo që të jem. Kam besim te mbështetja juaj, dhe nuk dëshiroj gjë tjetër veçse t’ju besoj në rrugën e vështirë që kam ndërmarrë.