Friday, September 20, 2024

Kancelarja Gjermane Merkel: Ka ‘Prova të Forta’ se Regjimi Iranian i Ka Kryer Sulmet mbi Cisternat

Nga Mahmoud Hakamian

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ka “prova të forta” që mbështesin akuzën e SHBA-së se regjimi iranian qëndron prapa sulmeve të javës së shkuar mbi cisternat e naftës në Gjirin e Omanit.

“Ne sigurisht i marrim shumë seriozisht këto shpjegime, dhe ka prova të forta,” tha Kancelarja Merkel në një konferencë për shtyp të martën pas bisedimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Berlin.

“Por kjo nuk më ndalon të them se duhet të bëjmë ç’është e mundur për ta zgjidhur konfliktin me Iranin në mënyrë paqësore,” tha Merkel.

“Është një situatë shumë serioze,” tha ajo, duke shtuar se Gjermania është në “kontaktin më të ngushtë” me SHBA-në.

Duke reaguar ndaj shpalljes nga regjimi iranian të hënën se do t’i shkelte detyrimet e tij nën paktin bërthamor të 2015-ës, Kancelarja Merkel tha: “Jemi duke e nxitur Iranin që ta zbatojë (paktin bërthamor) – nëse nuk ndodh kështu, sigurisht që do të ketë pasoja.”

Të hënën, Pentagoni nxori foto të reja dhe një vijë kohore të sulmeve mbi cisternat të cilat i kanë rritur tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë thënë se është “pothuajse e sigurtë” që regjimi iranian është përgjegjës për sulmet. Presidenti amerikan Donald Trump tha javën e shkuar se “E ka bërë Irani.”