Friday, March 29, 2024

EDITORIAL: Një Mesazh Drejtuar BE-së nga Populli i Iranit

Disa mijëra iranianë, mbështetës të opozitës Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI ose Mujahedin-e Khalq, MEK), marshuan të shtunën, më 15 qershor, në Bruksel, i pari eveniment i tillë në një seri marshimesh masive të iranianëve nëpër botë.

Këto tubime demonstrojnë sfidën me të cilën po përballet regjimi kundër Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili është gati për ta përmbysur regjimin dhe përfaqëson një alternativë të arsyeshme demokratike. Tubimi i radhës do të mbahet në Uashington D.C. më 21 qershor.

Këto marshime fokusohen në shprehjen e solidaritetit me protestat dhe grevat anti-qeveritare që vazhdojnë të zhvillohen brenda Iranit pavarësisht nga shtypja brutale. Ato i bëjnë jehonë thirrjes së popullit iranian për rrëzimin e regjimit dhe themelimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Këto marshime po zhvillohen ndërkohë që regjimi gjendet përballë një shoqërie shpërthyese që kërkon rrëzimin e tij. Ndryshe nga e kaluara,  SHBA nuk po jep asnjë shenjë politikash paqësimi për ta ndihmuar regjimin në këtë pikë kritike. Këto kriza i kanë ngritur në nivelet më të larta konfliktet e brendshme të regjimit, midis Presidentit Hassan Rouhani dhe Liderit Suprem Ali Khamenei. Të gjitha këto tregojnë se regjimi është në fazën e fundit.

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së, Mohammad Mohaddessin u tha gazetarëve në Bruksel se regjimi i mullahëve e ka planifikuar dhe ekzekutuar sulmin e fundit mbi cisternat e naftës në Gjirin e Omanit. Në fakt, sulmet e kryera nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit mbi dy anije-cisternat janë bërë nën urdhërat e Khamenei-t. Ato janë planifikuar dhe ekzekutuar nga Brigadier Gjenerali i  IRGC-së Ali Fadavi, i dyti në komandën e IRGC-së, i cili deri para pak kohësh ka qenë komandant i Flotës së IRGC-së. Fadavi ka qenë organizatori i kapjes dhe mbajtjes peng të marinarëve amerikanë në janar të 2016-ës, gjë për të cilën ai mori dekoratën më të lartë ushtarake nga Khamenei. Shpërthimet në cisterna janë kryer nga njësi speciale të Flotës së IRGC-së në koordinim me stacionin detar të IRGC-së në Port Jask, të quajtur Emamat.

Ata që përpiqen ta shfajësojnë regjimin iranian për këto krime lufte duke krijuar dyshime rreth përgjegjësisë së regjimit janë ose bashkëpunëtorë, ose të mashtruar.

Sulmi mbi dy cisternat tregoi edhe një herë se regjimi i mullahëve nuk mund të zgjasë pa represion të brendshëm dhe pa eksportin e terrorizmit e luftënxitjes.

Fakti që sulmet mbi cisternat koinçiduan me takimin midis Khamenei-t dhe Kryeministrit japonez dy ditë pas një takimi midis Ministrit të Jashtëm gjerman dhe Rouhani-t, tregon se diplomacia dhe paqësimi nuk bëjnë asnjë punë me këtë regjim terrorist. Ky regjim kupton vetëm gjuhën e forcës.

Ndryshimi i regjimit nga populli e Rezistenca iraniane dhe themelimi i një qeverie demokratike e popullore në Iran është kusht paraprak për paqen dhe qetësinë në rajon. Për sa kohë që ky regjim të qëndrojë në pushtet, krizat dhe lufta do të vazhdojnë.

Për këtë arsye, në video-mesazhin e saj drejtuar tubimit të Brukselit, znj. Maryam Rajavi, Presidente e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, i bëri thirrje Bashkimit Europian që të vërë sanksione gjithëpërfshirëse mbi regjimin teokratik që sundon Iranin dhe t’i etiketojë IRGC-në dhe Ministrinë e Inteligjencës e Sigurisë (MOIS) si entitete terroriste.

Duke iu referuar veprimtarive të fundit terroriste të mullahëve në tokën europiane, znj. Rajavi pohoi se mercenarët e regjimit duhet të gjykohen, të ndëshkohen dhe të përjashtohen nga Europa.

Znj. Rajavi shtoi gjithashtu se liderët e regjimit duhet të përballen me drejtësinë në një gjyq ndërkombëtar dhe të japin llogari për krimet e tyre kundër popullit të Iranit, sidomos për masakrimin e 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.

Këto janë hapa që Europa duhet të ndërmarrë në mënyrë që të distancohet nga një diktaturë në kalbje e sipër, fati i së cilës është të përmbyset nga populli iranian.