Ish- kreu i FBI vlerëson besën e shqiptarëve: “Falënderoj liderët e qeverisë shqiptare, që lejuan muxhahedinët të vendosen në Shqipëri”

762

 Muxhahedinet  Iraniane

Intervista-Visita ne Tirane e Louis J. Freeh

Panorama

27 Mar 2017

ZoomBookmarkSharePrint

Ish- drejtori i FBI- së, Louis J. Freeh, ka vizituar së fundmi Shqipërinë, ku ka takuar disa zyrtarë shqiptarë për të falënderuar në lidhje me mbështetjen ndaj muxhahedinëve që ka ofruar vendi ynë.

  1. Freeh është një prej amerikanëve që kanë mbajtur pozicione të larta në qeveritë e mëparshme në SHBA, që mbështet grupin më të madh opozitar iranian të vendosur në Shqipëri, si një nga vendet e rralla që ofroi mbështetje për këtë grup, pas rreziqeve me të cilat përballeshin ata në dy kampet, “Liberty” dhe “Ashraf” në Irak. Vizita e tij pason atë të ish- ambasadorit amerikan në OKB, z. John Bolton, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të njëjtin qëllim, mbështetjen për MEK dhe falënderimet për qeverinë dhe popullin shqiptar. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, z. Freeh nuk i ka prekur çështjet politike në vend, por e ka quajtur të jashtëzakonshme ndihmën dhe humanizmin që treguan populli dhe qeveria shqiptare për muxhahedinët. Ai ka përmendur edhe kontaktet e mëparshme me zyrtarët shqiptarë. Louis J. Freeh, ish- drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve ( FBI), ka lindur në Xhersi Siti, Nju Xhersi. Ai u diplomua për të drejtën penale në Universitetin “Neë York Laë School”, në vitin 1984. Në karrierën e tij si një nëpunës civil, Freeh ishte njohur në disa raste për arritjet e tij të veçanta. Në vitin 1987 dhe 1991, ai mori Çmimin e Prokurorit të Përgjithshëm për Shërbim të Shquar, nderi i dytë më i lartë vjetor i dhënë nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA. Ai e ka drejtuar FBI nga viti 1993 deri në qershor 2001.

Pse jeni në Shqipëri, a është kjo vizita juaj e parë dhe çfarë mendoni për vendin tonë?

Është një vend shumë i bukur, kam qenë këtu edhe më parë, kur punoja për qeverinë e Shteteve të Bashkuara disa vite më parë, ku kam takuar zyrtarët e policisë së asaj kohe dhe ndërtuam një bashkëpunim shumë të mirë me ta, dhe me departamentin në ministri, e që atëherë shumë oficerë policie shqiptarë kanë ardhur në akademinë tonë të FBI në Virxhinia, SHBA, dhe në shkollën e FBI në Budapest. Jam këtu për të vizituar miqtë e mi të MEK dhe të falënderoj shqiptarët e veçanërisht liderët e qeverisë shqiptare, që i kanë lejuar ata të vendosen këtu nga Iraku, ku ishin nën një kërcënim të madh dhe kanë qenë subjekt i shumë sulmeve nga regjimi iranian dhe agjentët e tij. Pra, unë dhe një grup shumë i madh amerikanësh në zë, dhe Departamenti ynë i Shtetit, përfshirë ish- Sekretarin e Shtetit, John Kerry, kemi falënderuar qeverinë shqiptare, popullin shqiptar që kanë dhënë siguri për këtë grup njerëzish shumë të mirë.

Ju jeni mbështetës i MEK. Çfarë mendoni për jetesën e tyre në Shqipëri? A mendoni se SHBA duhet të miratojë një politikë më të favorshme për muxhahedinët? Që kur jeni miq me ta, që përfaqësojnë grupin më të madh të opozitës iraniane?

Kam qenë mik me MEK prej shumë vitesh, që nga 2012, dhe qeveria jonë, qeveria e Shteteve të Bashkuara është një mbështetëse shumë e madhe e tyre. SHBA ka ndihmuar dhe siguruar për vendbanimin e tyre këtu në Shqipëri dhe gjithashtu ka ndihmuar nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, duke punuar edhe me qeveri të vendeve të tjera, për të siguruar një kalim të sigurt për ta. Ne po shpresojmë që qeveria amerikane do të lejojë anëtarët e MEK dhe lideren e tyre, znj. Maryan Rajabi, që të vijnë në Shtetet e Bashkuara, sepse ata shprehin të njëjtat principe të lirisë dhe demokracisë që ne besojmë në Amerikë.

Mendoni se regjimi iranian mund të rrëzohet? Çfarë nevojitet për këtë dhe përse jeni ju kundër tij?

Mendoj se amerikanët janë kundër çdo regjimi që shtyp lirinë, qoftë lirinë fetare, lirinë e fjalës apo të partive politike. Regjimi në Iran ka qenë një kundërshtar i qartë dhe i vazhdueshëm i demokracisë e lirisë dhe ne besojmë se çdo regjim që shtyp lirinë nuk mund të mbështetet, nuk mund të mbijetojë dhe në një pikë njerëzit që ai tenton të shtypë do ta kapërcejnë atë.

Ju mund të jeni në dijeni të situatës së vështirë politike në Shqipëri. Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin dhe përhapjen e kanabisit. Si një person me rëndësi në sistemin e drejtësisë dhe ligjit në SHBA, çfarë mendoni mbi këtë situatë? A keni kontaktuar me ndonjë zyrtar shqiptar, apo keni diskutuar në lidhje me këtë situatë me Ambasadën Amerikanë në Tiranë së fundmi?

 

Unë nuk kam pasur ndonjë kontakt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Kam takuar disa nga zyrtarët e zgjedhur në Shqipëri dhe kjo për t’i falënderuar për humanizmin, për mbështetjen, për mundësinë e lirisë që u kanë dhënë miqve të mi të MEK. Megjithatë nuk di shumë për situatën politike këtu. U jam shumë, shumë mirënjohës njerëzve në Shqipëri dhe liderëve të tyre. Ata kanë paraqitur mirësi dhe humanizëm, si dhe besën, e bazuar në kulturën këtu. Dhe kjo është e jashtëzakonshme. Unë vetë, shumë amerikanë, qeverisja politike, ajo ushtarake, kanë qenë të goditur nga humanizmi dhe mbështetja që populli shqiptar dhe lidershipi i tyre kanë treguar, dhe ne jemi shumë, shumë mirënjohës për këtë.