Wednesday, February 1, 2023

Irani i Lirë 2021: Zgjedhjet Konfirmojnë Mungesën e Reformizmit, Forcën e Rezistencës së Organizuar

 

Farsa e zgjedhjeve përfundoi ashtu siç prisnin shumica e ekspertëve: me një fitore të thellë të kandidatit të preferuar të Liderit Suprem Ali Khamenei, por gjithashtu me një bojkot tejet të suksesshëm të votimeve, të organizuar në një masë të madhe nga opozita kryesore e Iranit, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Me “selektimin” e presidentit të ri Ebrahim Raisi javën e shkuar, regjimi iranian përmbylli një dukuri që iranianë të panumërt e kishin dënuar gjatë viteve të shkuara si një “lojë” të ndarjes së pushtetit midis dy fraksioneve politike pa asnjë ndryshim në ideologjitë e tyre politike.

Më përpara, MEK ka luajtur rol udhëheqës në kryengritjet mbarëkombëtare të janarit 2018 dhe nëntorit 2019, në të cilat dëgjoheshin thirrje të forta me sllogane anti-qeveritare si “Konservatorë, reformistsë: loja mbaroi.”

 

Ky sllogan kërkonte ta fokusonte vëmendjen tek fakti që krizat e shumëllojshme të Iranit në përgjithësi ishin përkeqësuar gjatë kohës pavarësisht se cili fraksion politik e kishte kontrollin mbi presidencën apo parlamentin. Ndryshimet në udhëheqje kryesisht shërbenin për t’i transferuar përfitimet e korrupsionit qeveritar nga një grup tek tjetri, ndërkohë që politikat e brendshme dhe të jashtme mbeteshin të njëjta në çdo rast.

Tetë vitet e shkuara konfirmuan edhe një herë se të gjitha premtimet e bëra nga presidentët e regjimit në fund të fundit rezultojnë në përkeqësim të mëtejshëm të cilësisë së jetës për iranianët e zakonshëm, si dhe në tensione të mëtejshme midis Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë atyre që i shtrijnë dorën në mënyrë aktive qeverisë “reformiste” dhe dëshirojnë t’i paqësojnë mullahët.

Kur u selektua për herë të parë në 2013, Hassan Rouhani pati shprehur një angazhim më të përgjithshëm për ta hapur shoqërinë iraniane dhe për t’i hequr kufizimet mbi lirinë e fjalës, mbledhjes, dhe shtypit. Por që atëherë, shumë nga këto kufizime vetëm sa janë përkeqësuar, siç shihet nga arrestimet në masë të aktivistëve për të drejtat e grave dhe vazhdimësisë së ekzekutimeve të disidentëve politikë, madje edhe në raste si ai i Navid Afkari, i cili u bë fokus i fushatave ndërkombëtare për të drejtat njerëzore kur iu dha dënimi me vdekje për pjesëmarrje në një protestë të 2018-ës.