Parlamentarët europianë kërkojnë një politikë të rreptë ndaj terrorizmit të regjimit iranian
Mbi 70 parlamentarë europianë nga tendenca të ndryshme politike kanë kërkuar një politikë të rreptë përballë veprimtarive terroriste të regjimit iranian në mbarë botën, dhe veçanërisht në Europë.
Në një deklaratë të përbashkët më 12 tetor, parlamentarët europianë e përshkruajnë komplotin e dështuar me bombë të regjimit në 2018-ën kundër tubimit të përvitshëm të opozitës iraniane në Francë si një dëshmi për faktin që terrorizmi i mullahëve nuk ka kufij.
Në një njoftim për shtyp lidhur me këtë deklaratë nga parlamentarët europianë, Komiteti Britanik për Lirinë e Iranit shkroi të martën: “Sot, një diplomat iranian dhe tre agjentë të tjerë të lidhur me Ministrinë iraniane të Informacionit dhe Sigurisë (MOIS) janë aktualisht të burgosur në Belgjikë dhe do të ndiqen penalisht në një gjyq të planifikuar për datën 27 nëntor, për rolin e tyre në një komplot me bombë kundër tubimit të përvitshëm të opozitës iraniane, Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), në mbështetje të një Irani të lirë e demokratik, në Paris më 30 qershor 2018.”
“Javën e shkuar, agjencia e lajmeve Reuters zbuloi se Assadollah Assadi, diplomati i regjimit iranian, “i ka paralajmëruar autoritetet për hakmarrje të mundshme nga ana e grupeve të paidentifikuara nëse ai gjendet fajtor, sipas një dokumenti të policisë.” Gjithashtu, “Assadi i ka thënë policisë se grupe të armatosura në Irak, Liban, Jemen dhe Siri, si dhe brenda në Iran, janë të interesuara për rezultatin e çështjes së tij dhe do të jenë “duke vëzhguar nga prapaskenat për të parë nëse Belgjika do t’i mbështesë apo jo.” Është skandaloze dhe një akt shantazhi nga ana e një shteti kur diplomati i tij bën kërcënime terroriste kaq të drejtpërdrejta. Qeveritë europiane nuk duhet të mbeten të heshtura përballë përdorimit të qartë të terrorizmit nga regjimi iranian,” shton deklarata.