Graffiti në mur thotë “Vdekje Khameneit”, një rrugë në Mashhad, Khorasan Razavi, Irani Verilindor – 22 shtator 2022
Ndërsa protestat për vrasjen brutale të një gruaje të re nga duart e policisë së moralit të Iranit vazhduan për të gjashtën ditë radhazi të mërkurën, kritika globale që i shoqëron hodhi hije mbi vizitën e presidentit të regjimit, Ebrahim Raisi, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane mbajti një tubim në një park përballë selisë së OKB-së. Të martën, OIAC shfaqi fotografi të rreth 2,000 viktimave të masakrës së vitit 1988 të Iranit ndaj të burgosurve politikë, në të cilën Raisi luajti një rol udhëheqës si anëtar i “komisionit të vdekjes” të Teheranit. Në mbarë vendin, ajo masakër besohet të ketë marrë 30,000 jetë njerëzish.
Opozita iraniane mbajti një tubim më të madh në parkun Dag Hammarskjold të mërkurën, ku mijëra pjesëmarrës kërkuan ndjekjen penale të Raisit për krime kundër njerëzimit. Përpara mbërritjes së Raisit, 16 emigrantë iranianë ngritën një padi civile në Distriktin Jugor të Nju Jorkut në një përpjekje për të lehtësuar përgjegjësinë ligjore dhe për të nxjerrë në pah prova që mund të përdoren më vonë në një gjyq penal.
Deri më sot, askush nuk është mbajtur kurrë përgjegjës për masakrën e vitit 1988, me përjashtim të vetëm të Hamid Noury-t, një ish-zyrtar i burgut iranian dhe që ka patur pjesëmarrje relativisht të ulët në procesin e komisionit të vdekjes. Noury u arrestua nga autoritetet suedeze në vitin 2019, bazuar në parimin e “juridiksionit universal” mbi shkeljet e jashtëzakonshme të ligjit ndërkombëtar. Ai u dënua në fillim të këtij viti me burgim të përjetshëm.
Përzgjedhja e Raisit nga Udhëheqësi Suprem i regjimit Ali Khamenei është njohur gjerësisht si një riafirmim i përkrahjes së parimeve të masakrës së 1988-ës, dhe si rrjedhim si një direktivë e nënkuptuar për represionin e zgjeruar politik në vazhdën e disa kryengritjeve të fundit mbarëkombëtare kundër sistemit teokratik.
E para nga këto kryengritje filloi në dhjetor 2017. Tani, pas vdekjes së Mahsa Amini, demonstratat janë rishfaqur në një shkallë të gjerë. Parullat anti-regjim ishin një tipar përcaktues i kryengritjes fillestare anti-qeveritare në dhjetor 2017 dhe janar 2018, dhe kanë mbetur në qarkullim që atëherë, duke ofruar një përkufizim të ngjashëm për kryengritjet e mëvonshme, si ajo e nëntorit 2019, e cila përfshiu pothuajse 200 qytete dhe qyteza dhe bëri që mbi 1500 protestues paqësorë të qëlloheshin për vdekje nga forcat e sigurisë. Ato vrasje ndodhën në një kohë kur Ebrahim Raisi ishte kreu i gjyqësorit të regjimit, dhe kështu ato iu bashkuan masakrës së 1988-ës si argumenta se përse atij duhej t’i ishte refuzuar viza për të udhëtuar në SHBA dhe si rrjedhim t’i ishte ndaluar pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Vrasja e Mahsa Aminit është një tjetër arsye pse Raisi duhet të ndiqet penalisht nga vendet anëtare të OKB-së. Një fotografi e zonjës Amini thuhet se ishte mes fotografive të tjera në parkun Dag Hammarskjold të martën dhe Fox News citoi një pjesëmarrës në tubim, i cili tha se për shkak të vdekjes së saj, “Njerëzit po demonstrojnë kundër qeverisë në këtë moment … duke thënë “Vdekje Raisit.” Ne thjesht po u bëjmë jehonë dëshirave të popullit iranian…”
Amini, një grua kurde 22-vjeçare, u arrestua më 13 shtator. Ajo ra në koma menjëherë pasi u dërgua për t’u “bindur dhe edukuar” dhe tre ditë më vonë humbi jetën.
Hixhabi i detyrueshëm dhe standardet shoqëruese të paraqitjes dhe sjelljes janë imponuar më me forcë muajt e fundit, dhe direktivat përkatëse vijnë direkt nga zyra e Raisit. Kjo ka çuar në përhapjen e videove dhe raporteve të dëshmitarëve okularë në mediat sociale që tregojnë sjellje agresive dhe të dhunshme nga policia e moralit, ose “Patrullat Roje”. Rasti i Aminit është objekt i raportimeve të tilla, pasi shumë gra ishin në të njëjtin furgon që e çoi atë në qendrën e paraburgimit, dhe më vonë ata kontaktuan me familjen Amini për të konfirmuar se ajo ishte sulmuar fizikisht.
Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë penguar në mënyrë të përsëritur përpjekjet për të marrë informacion objektiv në lidhje me rrethanat e vdekjes së saj.
Babai i saj Amjad ka raportuar se mbahej larg trupit të Mahsa-s dhe si përfundim u lejua ta shihte atë vetëm kur ishte pothuajse tërësisht i mbuluar për të fshehur mavijosjet. Megjithatë, fotografitë pas vdekjes dukej se tregonin njollë rreth veshit, e cila përputhet me një goditje të fortë në kokë. Përpjekja për fshehjen e trupit të Mahsa Amini vazhdoi me faktin që autoritetet udhëzuan familjen që ta varrosnin natën, megjithëse më në fund ata ranë dakord për një varrim në orën 8 të mëngjesit.
Përveç dukshmërisë së mundshme të shenjave në trupin e saj, autoritetet ishin gjithashtu të shqetësuara për mundësinë që funerali i saj të kthehej në pikënisje për protesta kundër regjimit. Në të vërtetë, regjimi është përpjekur të vendosë kufizime në varrimet e disa personave me profil të lartë, si dhe në shërbimet përkujtimore.
Protestat e mevonshme që nga arrimi i Mahsa-s kanë dëshmuar se shqetësimet e regjimit ishin me baza. Protestat për vrasjen e Mahsa-s dhe represionin shkaktar u përhapën në dhjetëra qytete dhe raportet tregojnë se kanë humbur jetën edhe disa protestues të tjerë.
Teherani mohoi përgjegjësinë, duke pretenduar se të paktën një nga individët e vdekur ishte vrarë nga një armë që nuk përdoret nga asnjë degë e forcave të armatosura të Iranit. Ky është i njëjti shpjegim që regjimi dha kur mohoi të gjithë përgjegjësinë për shumicën e vdekjeve të regjistruara publikisht të lidhura me kryengritjen e nëntorit 2019.
Protestat e vazhdueshme në Iran tregojnë një shoqëri të trazuar e cila shumë media shtetërore iraniane kishin paralajmëruar se do të shpërthente. Iranianët mbajnë përgjegjës regjimin dhe zyrtarët e tij për katër dekada krime sistematike. Topi tani është në fushën e komunitetit ndërkombëtar. A do të mbajnë ata anën e popullit iranian, apo do të vazhdojnë të shpërfillin realitetin se Irani është në prag të një revolucioni?