Friday, March 29, 2024

Mediat Shtetërore të Iranit Paralajmërojnë për një Tjetër Kryengritje

 

Iran protests, November 2019Më shumë se një duzinë qytetesh në mbarë Iranin kanë qenë skena të protestave të pensionistëve të sigurimeve shoqërore të martën. Këto tubime kundër regjimit jo vetëm që hedhin poshtë propagandën e regjimit për të fajësuar sanksionet për shembjen ekonomike të Iranit, por ç’është më e rëndësishmja, ato tregojnë trazimin e shoqërisë.

Pensionistët protestojnë kundër pensioneve të ulëta, të cilat nuk i mbulojnë nevojat e tyre për shkak të inflacionit të lartë.

Duke thirrur “do t’i rifitojmë të drejtat vetëm në rrugë,” pensionistët jo vetëm që konfirmuan se regjimi nuk është i gatshëm t’i adresojë problemet e tyre, por treguan edhe pakënaqësinë e popullit ndaj regjimit.

Këto protesta të pensionistëve ishin vazhdim i protestave nga të gjitha shtresat e popullsisë gjatë vitit të fundit, që me kryengritjen e nëntorit 2019. Këto protesta janë zhvilluar ndërkohë që “zemërimi publik lidhur me situatën aktuale nuk ka nevojë për shpjegim,” siç shkruante e përditshmja shtetërore Vatan-e Emrooz të martën.

Populli iranian e sheh që, ndërkohë që ai lufton me varfërinë, zyrtarët e regjimit e plaçkisin atë nëpërmjet keqmenaxhimit ekonomik dhe korrupsionit të institucionalizuar.

Populli iranian “është i shtypur nën peshën e inflacionit dhe tryezat po u boshatisen gjithnjë e më shumë. Çmimet vazhdojnë të rriten pavarësisht varfërisë së popullit. Disa madje dëshpërohen dhe kanë turp të dalin para familjeve të tyre për shkak se nuk kanë mundësi të fitojnë bukën,” siç shkruante faqja shtetërore Mamlekat të martën.