Pensionistë të ushtrisë grumbullohen në Shiraz të Iranit jug-qendror
Raportim nga PMOI/MEK
Iran, 15 maj 2020—Pavarësisht krizës së koronavirusit që vazhdon në Iran, dhe raporteve që tregojnë për shtim të vdekjeve dhe rasteve në mbarë vendin çdo ditë, raportohet se njerëz nga të gjitha sferat e jetës po zhvillojnë protesta për të kërkuar kushte më të mira.
Punëtorët e bashkisë në Distriktin 3 në Karaj, në perëndim të Teheranit, mbajtën një tubim jashtë ndërtesës së bashkisë të mërkurën më 13 maj, për t’u kërkuar autoriteteve t’ua paguajnë rrogat e vonuara.
Të martën, një grup pensionistësh ushtarakë në Shiraz të Iranit jug-qendror mbajtën një tubim për të protestuar kundër anullimit të çertifikatave të tyre të pronësisë së tokës. Protestuesit i thanë një reporteri: “Shtatëmbëdhjetë vite më parë, Unioni Klasik i Pensionistëve të Ushtrisë caktoi për ne 531 pjesë toke në Shiraz. Shumë nga këta individë i kanë dokumentat nga ajo kohë. Por tani, zyrtarët po thonë se këta dokumenta janë të papranueshëm. Shumë nga këta njerëz kanë kryer projekte ndërtimi në këto toka dhe tani del një organizatë qeveritare që ankohet se i përkasin asaj. Nëse është kështu, pse e kanë bërë këtë ankesë pas 17 vitesh?”
Një grup mësuesish pensionistë u grumbulluan në Teheran të mërkurën për të kërkuar përgjigje për probleme të ngritura për një kohë të gjatë. “Kemi 19 vite që na mbajnë pezull. Autoritetet qeveritare të projektit të strehimit nuk po i kryejnë detyrat e tyre dhe refuzojnë të na i japin shtëpitë tona. Vetëm një numër shumë i vogël i këtyre shtëpive u janë dhënë pronarëve të tyre, por edhe ato janë plot me probleme e të meta. Ministria e Punës duhet ta shqyrtojë seriozisht këtë çështje dhe të na japë përgjigje se pse ne mësuesit jemi privuar nga shtëpitë tona për kaq shumë kohë,” thanë protestuesit gjatë tubimit të tyre. “Kanë kaluar 19 vite që kur iu bashkuam unionit me shpresën se do të kishim një shtëpi një ditë. Shumica e anëtarëve janë në pension tashmë dhe nuk kanë marrë ende një shtëpi,” tha një mësues pensionist gjatë tubimit.