Wednesday, February 1, 2023

Iran: Populli Beson se Sistemi Teokratik Është Fajtor për Vështirësitë e Tij

Kur Irani të zhvillojë festimet e Vitit të Ri Novruz këtë fundjavë, pa dyshim që do të jetë ende nën peshën e një numri krizash të pazgjidhura. Pandemia e koronavirusit vazhdon të bëjë kërdinë në të gjithë vendin, e përkeqësuar edhe nga një urdhër i Liderit Suprem të regjimit Ali Khamenei, i cili e ka ndaluar importimin e vaksinave efikase të prodhuara në SHBA dhe Britani. Dhe ndonëse frika e shtimit të infektimeve ka bërë që të zvogëlohet shkalla e trazirave të brendshme gjatë vitit të fundit, ka shenja që tregojnë se populli iranian është në një pikë kritike që mund të çojë në kryengritjen e madhe të radhës, dhe ndoshta edhe në përmbysjen e shumë-dëshiruar të diktaturës klerikale.

Nga fillimi i këtij muaji, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, Zonja Maryam Rajavi, mbajti fjalimin kryesor në një konferencë virtuale të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në këtë fjalim, ajo theksoi rolin e spikatur që gratë iraniane kanë luajtur në lëvizjen protestuese pro-demokratike të vendit, si dhe në përplasjet me autoritetet si ato që po ndodhnin në atë kohë në provincën jug-lindore Sistan dhe Baluchistan.

Në këtë provincë, hamajtë e varfër kishin organizuar protesta kundër ndërhyrjeve të Gardës Revolucionare (IRGC) në mënyrën e tyre të vetme për sigurimin e jetesës. Kur demonstratat u përballën me të shtëna që shkaktuan vrasjen e disa hamajve, banorët vendas u ngritën në mbrojtje të tyre, duke i vënë zjarrin ndërtesës së qeverisë. IRGC dhe forcat rajonale të sigurisë sulmuan protestuesit e pambrojtur duke vrarë e plagosur dhjetëra prej tyre. Kjo kryengritje ishte një dëshmi e tendencave të shumta që përbëjnë bazën e zemërimit publik ndaj regjimit, tendenca që përfshijnë mospërfilljen e qëllimshme ndaj komuniteteve të margjinalizuara, kufizimin e fjalës së lirë, dhe përgjigjen me dhunë ndaj çdo sfide.