Tuesday, January 31, 2023

Iran: Pensionistët Organizojnë Protesta në 21 Qytete; Protesta në 15 Provinca për të Tetën Javë Rresht

“Asnjë komb tjetër nuk ka parë kaq shumë padrejtësi,” “Mund t’i fitojmë të drejtat tona vetëm duke dalë nëpër rrugë,” “Nuk do të pushojmë deri sa t’i fitojmë të drejtat tona”

Sot, e dielë, 14 mars 2021, për të tetën javë rresht, pensionistët kanë zhvilluar protesta në Teheran e 20 qytete të tjera kundër mungesës së përgjigjeve ndaj kushteve të tmerrshme të jetesës së tyre, pagave të ulëta, dhe çmimeve të larta. Ata mbanin afishe me kërkesat për të drejtat e tyre.

Krahas Teheranit, pensionistët organizuan protesta jashtë zyrave lokale të sigurimeve shoqërore edhe në qytetet Khorramabad, Karaj, Yazd, Ahvaz, Tabriz, Arak, Isfahan, Rasht, Mashhad, Ardabil, Kermanshah, Sanandaj, Shooshtar, Ilam, Kerman, Abhar, Bojnurd, Shush, Hafttapeh, Abadan, dhe Dezful.

Në protestat dhe marshimet e sotme, pensionistët thërrisnin: “Kërcënimet dhe shtypja nuk bëjnë efekt më,” “Mund t’i fitojmë të drejtat tona vetëm duke dalë nëpër rrugë,” “Nuk do të pushojmë deri sa t’i fitojmë të drejtat tona,” “Punëtorët e burgosur duhet të lirohen,” “Mjaft më me shtypje, pjatat i kemi bosh,” “Jemi të gjithë bashkë,” “Pagat i kemi në rial, shpenzimet në dollarë,” “Çmimet e larta, inflacioni, po dëmtojnë jetën e njerëzve,” “Pragu i varfërisë 130 milion rial, rrogat tona 30 milion rial,” “Si mund të jetojmë me paga nën 30 milion rial,” “Pensionist ngrihu, mbro të drejtën tënde,” “Qeveria tradhëton, Parlamenti e mbështet,” “Mjaft më me premtime, pjata jonë është bosh,” “Asnjë komb tjetër nuk ka parë kaq shumë padrejtësi.”

Njëri nga pensionistët tha në fjalimin e tij në Arak: “Dje, një vajzë e re u hodh nga një urë në Shiraz. Pse duhet të jetë kështu? Shkaku është varfëria, papunësia, dhe mjerimi. Edhe për sa kohë do të refuzojnë të na përgjigjen? Kaq zemërgur të jenë ata?”

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka përshkruar protestat e vazhdueshme të pensionistëve si një akt proteste nga i tërë kombi iranian kundër plaçkitjes së të drejtave të tyre nga fashizmi fetar në pushtet. Ashtu siç thërrisnin edhe pensionistët protestues, ajo shtoi se “asnjë komb nuk ka parë kaq shumë padrejtësi.” Presidentja e zgjedhur e NCRI-së theksoi se, për sa kohë që diktatura e mullahëve të jetë në pushtet, papunësia, inflacioni, korrupsioni, padrejtësia, dhe ndryshimet klasore vetëm sa do të rriten.