Tuesday, January 31, 2023

IRAN: Mësuesit Ngrihen në Mbi 100 Qytete Anembanë Vendit

Protestuesit thërrasin: “Lirojini të gjithë të burgosurit politikë,” “Mësues, kërkoni të drejtat tuaja,” “Mësuesit më mirë vdesin sesa ta pranojnë poshtërimin”

Znj. Maryam Rajavi: Me protestat e tyre të guximshme sot, mësuesit iranianë treguan se nuk dorëzohen pavarësisht planeve mashtruese, kërcënimeve, dhe masave shtypëse të regjimit klerikal. Lëvizja e mësuesve do të vazhdojë derisa t’u plotësohen kërkesat.

Të enjten në mëngjes, 23 dhjetor 2021, mësuesit dhe arsimtarët në mbarë Iranin u grumbulluan në mbi 100 qytete për të protestuar ndaj politikave shtypëse të regjimit klerikal dhe miratimit nga parlamenti të projektligjit mashtrues dhe të hartuar nxitimthi për “renditjen”.

Pas protestave dhe demonstratave të mësuesve në më shumë se 200 qytete javët e fundit, më 15 dhjetor 2021, parlamenti i regjimit klerikal hartoi një projektligj të titulluar “Renditja e mësuesve”, i cili edhe nëse do të zbatohej, nuk do t’i kishte përmbushur kërkesat minimale të mësuesve. Mësuesit e përshkruan këtë projektligj si një thikë ndaj projektit të renditjes dhe u zotuan t’i vazhdojnë protestat e tyre.

Pavarësisht kërcënimeve dhe masave represive të regjimit, mësuesit organizuan një protestë në shkallë të gjerë në Teheran, jashtë Organizatës së Planifikimit dhe Buxhetit, dhe në qytete të tjera, jashtë zyrave lokale të Ministrisë së Arsimit, duke përfshirë në Shiraz, Isfahan, Kermanshah, Kerman, Ramhormoz, Marivan, Ardabil, Lahijan, Yazd, Qazvin, dhe….

Protestuesit thërrisnin: “lirojini të gjithë mësuesit e burgosur”, “lirojini të gjithë të burgosurit politikë”, “kemi dëgjuar shumë premtime, por jo drejtësi”, “jetesa dhe dinjiteti janë e drejta jonë e patjetërsueshme”, “Mësuesit janë zgjuar, e urrejnë diskriminimin”. “Mësues, thërrisni, kërkoni të drejtat tuaja.”

Në disa qytete, si Teherani, Mashhad dhe Shiraz, forcat shtypëse i sulmuan mësuesit për t’i shpërndarë, por u detyruan të tërhiqeshin përballë rezistencës së mësuesve dhe thirrjeve “ju, të paturpshëm”. Në Teheran, Forcat e Sigurisë Shtetërore (SSF) u përpoqën t’i shpërndanin mësuesit në daljet e stacionit të metrosë për të mos i lejuar ata të bashkoheshin. Por mësuesit u mblodhën jashtë stacioneve të metrosë. Shumë mësues ishin thirrur nga agjentë të inteligjencës dhe sigurisë dhe ishin paralajmëruar të mos organizonin protesta. Në Mashhad, SSF i pengoi mësuesit të hynin apo të dilnin nga vendi i protestës. Në Shiraz, Prokuroria u kishte dërguar SMS mësuesve, duke i paralajmëruar të mos merrnin pjesë në tubimin e protestës.

Zonja Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka përshëndetur mësuesit e ngritur në protestë, duke thënë: Me protestat e tyre të guximshme sot, mësuesit iranianë treguan se nuk do të dorëzohen pavarësisht planeve mashtruese, kërcënimeve, dhe masave shtypëse të regjimit klerikal. Zonja Rajavi u bëri thirrje të rinjve iranianë, veçanërisht studentëve të shkollave të mesme dhe universiteteve, që t’u bashkohen protestave të mësuesve të tyre. Ajo shtoi: Mësimi i parë i mësuesve protestues të Iranit është të jesh i lirë dhe i guximshëm përballë shtypjes së mullahëve. Lëvizja e mësuesve do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Protestat manifestojnë vendosmërinë e popullit iranian për ta përmbysur regjimin klerikal, i cili është shkaku kryesor i shtypjes, korrupsionit, papunësisë, dhe varfërisë.

Teachers resume protests rallies across Iran