Protestat në Golestan në veri-lindje të Iranit – 23 mars 2021
Më 23 mars shpërthyen protesta në veri-lindje të Iranit pasi gjyqësori i regjimit nuk e kishte dënuar një person që kishte përdhunuar dy vajza të vogla. Njëkohësisht, banoërt e zemëruar në jug-lindje të Iranit u përplasën me dy anëtarë të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe i vunë zjarrin automjetit të tyre pasi ata kishin tentuar t’ua vidhnin bizhuteritë tre grave nga komuniteti Baluch.
Kur një rojë sigurie në Digën e Golestanit përdhunoi dy vajza shtatë dhe tetë vjeçare, familjarët e vajzave bënë kallëzim penal dhe ngritën akuza përdhunimi kundër tij. E megjithatë, prokurori lokal i regjimit i refuzoi këto akuza, duke thënë se raporti mjeko-ligjor nuk kishte gjetur shenja përdhunimi. Për t’i qetësuar njerëzit, ai tha se roja i sigurisë ishte thirrur dhe akuzuar për “grabitje.” Pas komenteve të prokurorit, banorët në fshatin arab Sharank u ngritën në protestë. Si përgjigje, Forcat e Sigurisë së Shtetit (SSF) u përpoqën t’i shtypnin protestuesit, kështu që njerëzit u përplasën me forcat SSF dhe ua thyen xhamat e makinave.
Një peshkatar në Chabahar të Iranit jug-lindor, i dëmtuar nga veprimtaria e peshkarexhave kineze, ka protestuar përpara Parviz Mohebbi, Zëvendës Ministrit të Peshkimit. Në një video nga Chabahar shfaqet peshkatari duke i bërtitur Mohebbi-t, e duke thënë: “[varfëria jonë] është për shkak të [punës së peshkarexhave kineze.] Nuk kemi këpucë për të veshur.”
Të dielën, punëtorët e departamentit të kontrollimit të insekteve të dëmshme në Fabrikën e Kallamsheqerit në Hafta Tappeh, në Iranin jug-perëndimor, zhvilluan një tubim për të dytën ditë në godinën e kompanisë, përpara zyrës së sigurisë. Ata kërkuan rrogat e vonuara dhe protestuan ndaj pasigurisë së punës.
Këta shembuj tregojnë se sa e trazuar është shoqëria e Iranit. Edhe ngjarja më e vogël mund të çojë në protesta dhe kryengritje, ashtu siç ndodhi gjatë protestave madhore të Iranit në 2018 dhe nëntor 2019, protesta të cilat i shkundën themelet e regjimit.