
Regjimi po përpiqet të mbajë veten gjallë duke shpenzuar miliona dollarë për të financuar terrorizmin dhe militantët e tij, si dhe duke zgjeruar programet e tij raketore dhe bërthamore. Paratë që duhet të shpenzohen për rritjen ekonomike të vendit, shkojnë për militantët e Hezbollahut në Liban, Houthi në Jemen dhe forcat terroriste të regjimit në Irak.
Kjo politikë grabitqare e mullahëve në pushtet ka shtyrë gati 80% të iranianëve poshtë kufirit të varfërisë, dhe kjo varfëri në rritje e ka kthyer Iranin në një fuçi baruti, e cila është gati të shpërthejë.
Në kryengritjet mbarëkombëtare të 2018-ës dhe 2019-ës që u zhvilluan në mbi 190 qytete iraniane, populli kërkoi përmbysjen e regjimit të mullahëve.
Vetëm në kryengritjen e vitit 2019, 1500 njerëz u vranë dhe 12,000 u arrestuan, por pavarësisht shtypjes brutale të regjimit ndaj protestuesve, protestat vazhdojnë në të gjithë Iranin dhe janë të pandalshme, duke u përhapur çdo ditë e më shumë.
Khamenei, Udhëheqësi Suprem i regjimit iranian, caktoi një klerik si president të regjimit të tij për të frenuar gjendjen shpërthyese të shoqërisë dhe protestat e kryengritjet popullore duke arrestuar, torturuar dhe ekzekutuar protestuesit. Sigurisht që deri tani kjo përpjekje e regjimit nuk ka rezultuar e frytshme. Kryengritjet vazhdojnë. Lëvizjet shoqërore, veçanërisht kryengritja e banorëve të provincës Khuzestan, fermerëve dhe banorëve në Isfahan, demonstratat e mësuesve e akademikëve në afro 200 qytete, si dhe protestat e pensionistëve, tregojnë se në çfarë faze ka arritur lufta për liri e popullit iranian.
Nga ana tjetër, njësitë e rezistencës kanë mbajtur ndezur flakën e kryengritjes pavarësisht gjendjes tepër të vështirë për shkak të pandemisë dhe shtypjes brenda Iranit të pushtuar nga mullahët.
Djegia e statujës së Qassem Soleimani-t, xhelatit të muxhahedinëve dhe vrasësit të popullit sirian e irakian, është një shembull i veprimtarisë së njësive të rezistencës në Iran.
Protestat në korrik për shkak të mungesës së ujit kryesisht nga fermerët në provincën Khuzestan u shtypën dhunshëm nga qeveria. Në mes të nëntorit, protesta të ngjashme u zhvilluan në qytetin e lashtë të Isfahanit, kundër tharjes së lumit Zayandehroud, burimit kryesor të ujitjes për fermerët e rajonit.
Në lidhje me këtë, New York Times shkruan:
Të premten, ndërsa njerëzit u mblodhën për të protestuar, forcat e sigurisë iu vërsulën edhe më dhunshëm. Përleshjet u përhapën nga shtrati i thatë i lumit në rrugët në qendër të qytetit Isfahan. Sipas dy dëshmitarëve okularë në zonë dhe videove të shpërndara gjerësisht në mediat sociale, rojet e sigurisë qëlluan me saçma dhe hodhën gaz lotsjellës mbi turmat e protestuesve, si dhe i rrahën me shkopinj. Nuk ka shifra zyrtar për viktima, por videot dhe dëshmitarët okularë tregojnë se dhjetëra demonstrues u plagosën.
Faqja e internetit The Levant UK shkruan:
Në muajt e fundit, veçanërisht në dhjetor 2021, mësuesit iranianë kanë dalë në rrugët e mbi 119 qyteteve në mbarë Iranin për të kërkuar rritjen e pagave të tyre. Mësuesit pensionistë kërkojnë të balancojnë pagat e tyre me normat e reja të inflacionit. Më 13 dhjetor, forcat e sigurisë sulmuan tubime mësuesish në disa qytete iraniane. Në videot e protestave të mësuesve në Teheran dhe Sari tregohen forcat e sigurisë duke arrestuar mësuesit protestues. Eksperienca e shtypjes së protestave paqësore dhe e ndëshkimeve ndaj shoqërisë civile, unioneve dhe aktivistëve politikë në vitet e fundit ka ngritur shqetësimin se, nëse mësuesit vazhdojnë të protestojnë, vendi do të shohë masa edhe më të ashpra të sigurisë ndaj këtyre protestave.
Populli iranian beson, dhe veprimet e tij gjithashtu tregojnë, se ky regjim nuk ia përmbush as të drejtat minimale, sepse nuk do t’ia dijë për të. Populli thotë se e vetmja mënyrë për të arritur të drejtat tona legjitime është ndryshimi i regjimit.





