Saturday, July 27, 2024

Irani: Fusha Vrasëse për Sportistët dhe Heronjtë Kombëtarë

Në vende të tjera të botës, sportistët konsiderohen si thesare kombëtare. Por regjimi që sundon Iranin i keqtrajton, arreston dhe ekzekuton sportistët iranianë.

Më 9 janar, regjimi iranian dënoi me vdekje të burgosurin politik Mohammad Javad Vafaei Sani, një kampion boksi nga Mashhad, pas dy vitesh burgim dhe tortura. Vafaei u arrestua pas kryengritjeve të mëdha iraniane të 2019-ës dhe u dënua me vdekje, i akuzuar për mbështetje ndaj grupit kryesor opozitar të Iranit, Mujahedin-e Khalq (MEK) dhe “korrupsion mbi tokë”, një akuzë e sajuar nga teokracia në pushtet për të justifikuar dënimet me varje.

Por Vafaei nuk është i pari sportist-protestues i arrestuar që përballet me ekzekutimin. Më 12 shtator 2021, regjimi iranian vari kampionin iranian të mundjes, Navid Afkari, megjithë thirrjet ndërkombëtare për të ndaluar ekzekutimin e tij.

Një tjetër kampion i mundjes, Mohsen Ghasemi, ka ndërruar jetë pas gati dy vitesh në gjendje kome. Ghasemi fitoi një medalje të artë në mundjen aziatike në vitin 2011 në kategorinë 74 kg. Banditët e regjimit e rrahën egërsisht në një kamp rehabilitimi në Bojnourd.

Mohammad Javad Vafaei Sani

Ellis Coleman (USA) dec. Mohsen Ghasemi (IRI) 2nd repechage at 66 kg Greco-Roman at Junior Worlds

Në një rast tjetër, Gjykata Penale e Zahedanit dënoi me vdekje Yazdan Mirzaei, një sportist i arteve marciale ëushu me medalje ari, me akuza të lidhura me drogën. Ai i ka mohuar kategorikisht këto akuza false.

Që nga ardhja në pushtet, teokracia mesjetare është treguar e paskrupull në ekzekutimin e kujtdo që e konsideron si një kërcënim për mbijetesën e saj, dhe sportistët nuk bëjnë përjashtim. Në vitin 1988, regjimi masakroi 30,000 të burgosur politikë, 90 për qind e tyre të lidhur me MEK. Disa nga viktimat ishin sportistë, si Foroozan Abdi, një anëtare e ekipit kombëtar iranian të volejbollit për femra, dhe Mahshid Razaghi, një anëtar i ekipit kombëtar të futbollit të Iranit.

Në vitin 1982, regjimi iranian ekzekutoi Habib Khabiri, kapitenin e dashur të ekipit kombëtar iranian të futbollit gjatë Kupës së Botës në Argjentinë, i cili ishte një model për shumë të rinj iranianë. Khabiri nuk kishte pranuar të shprehej kundër MEK-ut.

Para ekzekutimit të tij, Navid Akari tha se mullahët “po kërkonin një qafë për litarin e tyre”, duke nxjerrë në pah nevojën e regjimit për të terrorizuar shoqërinë gjithnjë e më të trazuar të Iranit.

Shtypja dhe keqtrajtimi i sportistëve nuk kufizohet vetëm në tortura dhe ekzekutime. Për shkak të korrupsionit, paaftësisë dhe keqmenaxhimit të institucionalizuar të regjimit, shumë heronj kombëtarë iranianë janë të detyruar të bëhen shitës ambulantë për të siguruar bukën e gojës.

Në nëntor 2021, media shtetërore e Iranit publikoi historinë e jetës së vështirë të Masoud Rastegar. Rastegar, një xhudist i shurdhër në ekipin kombëtar të vendit, i cili kishte fituar medaljen e bronztë në garat Paralimpike në 2017-ën në Turqi, mbledh mbeturina për të ndihmuar familjen e tij.

“Kur shkojmë në zyrën e sportit dhe u kërkojmë rroba për stërvitje, ata thonë vazhdimisht se nuk kemi,” tha ai për televizionin shtetëror Apart online. “Në kohën e kampionatit, të njëjtët zyrtarë më përshëndetën dhe vendosën një pankartë e bënë një foto poshtë saj,” shtoi ai.

Një tjetër kampion i mundjes, Mohsen Madhani, u rrah nga forcat e regjimit për shitje në rrugë. “Një sportist dhe një kampion bote nuk meritojnë të jenë shitës ambulantë,” tha ai në një video të postuar në mediat sociale në nëntor 2020.

Sportistët iranianë detyrohen të merren me shitje në rrugë, ndërkohë që vendi qëndron mbi një oqean nafte dhe gazi. Si rezultat, shumë prej tyre janë larguar nga Irani dhe tani po konkurrojnë nën flamuj të tjerë.

Për teokracinë që sundon Iranin, besnikëria ndaj regjimit është kriteri i vetëm për sukses. Kur sportistët iranianë nuk pranojnë të shesin nderin dhe dinjitetin e tyre, ata ndiqen penalisht, detyrohen të jetojnë në varfëri ose të ikin nga atdheu i tyre.

Duke mos pranuar të përulen para regjimit vrasës të Iranit, sportistët iranianë kanë fituar një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Një trofe mbulohet nga pluhuri, por kujtimet zgjasin përgjithmonë. Kjo është historia e sportistëve iranianë që kanë zgjedhur të jenë kampionë të popullit dhe jo kukulla të regjimit.