Friday, March 29, 2024

Iran: Dështimi i strategjisë së Khameneit për “vështrimin nga Lindja”

ali khamenei sadStrategjia “vështrim nga Lindja” e Ali Khameneit e ka kthyer Iranin në një shtet satelit të qendrave të fuqisë lindore

Ditët e fundit, presidenti i regjimit iranian Ebrahim Raisi është përpjekur, por nuk ka arritur ta minimizojë varësinë e tepërt të regjimit të tij nga mbështetja e Rusisë. Raisi shkoi deri në atë pikë sa e mohoi strategjinë e “vështrimit nga Lindja”, strategji e deklaruar dhe e aprovuar nga udhëheqësi suprem i regjimit Ali Khamenei për përfshirjen në aleanca strategjike me shtete si Rusia dhe Kina.

Duke folur në Asemblenë e Ekspertëve më 8 mars, Raisi tha se “Pozicioni ynë është të kemi një vështrim të balancuar”.

Më herët, më 5 mars, në një konferencë për shtyp në provincën Golestan, Raisi tha: “Ne po vështrojmë në drejtim të të gjitha vendeve në botë.”

Këto fjalë të tij vijnë pasi ai mbështeti shprehimisht pushtimin rus të Ukrainës dhe në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin ai shprehu shpresën se “ajo që po ndodh do të jetë në interes të kombeve dhe rajonit”. Zyrtarë të tjerë të regjimit, përfshirë Khamenein, nuk e dënuan sulmin dhe fajësuan Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Pas këtyre komenteve, regjimi është përballur me një reagim të ashpër nga popullsia iraniane, e cila nuk e mbështet luftën e pajustifikuar që ka shkaktuar viktima të shumta civile dhe shumë dëme për kombin ukrainas. Edhe vetë analistët dhe zyrtarët e regjimit kanë shprehur shqetësim në lidhje me pozicionimin e regjimit në anën e Putinit, duke u bërë kështu një shtet satelit i Rusisë.

Dilema aktuale me të cilën përballet regjimi tani ka qenë duke u krijuar prej vitesh dhe i ka rrënjët në strategjinë e Khameneit për të ruajtur politikat e tij agresive me koston e sakrifikimit të interesave të vendit.