Iran: Nëse Nuk Sfidohet, Pandëshkueshmëria e Regjimit do të Intensifikohet nën Administratën e Re Presidenciale

740

1988 massacreShkruar nga Alejo Vidal Quadras

Ekspozitë me foto përballë Departamentit amerikan të Shtetit, në përkujtim të masakrës së 1988-ës, tetor 2020

Nga Alejo Vidal-Quadras

Javaid Rehman, raportuesi special i OKB mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran, prezantoi raportin e tij më të fundit në Asemblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë dhe nënvizoi ekzistencën e një “klime pandëshkueshmërie” të vazhdueshme pas marrjes së detyrës më 5 gusht nga presidenti i ri i regjimit iranian, Ebrahim Raisi.
Në 1988-ën, Raisi shërbente si zëvendës prokuror publik për Teheranin në kohën që themeluesi i regjimit, Ruhollah Khomeini, nxori një fetva e cila deklaronte se opozita kryesore, Mojahedin-e-KhaleqMEK, ishte fajtore për “armiqësi kundër Zotit”, një akuzë që mbart dënimin me vdekje. Si përgjigje ndaj kësaj urdhërese, në Teheran u krijua një “Komisioni i Vdekjes” për të mbikëqyrur marrjen në pyetje dhe dënimin kapital të cilitdo që konsiderohej se “vazhdonte t’i ruante idetë e tij” në lidhje me MEK. Raisi ishte një nga katër  personat e caktuar në këtë komision, dhe ndërkohë që masakra vazhdonte, juridiksioni i tij personal u zgjerua edhe në rajonet përtej Teheranit.

Raisi, Butcher of 1988 Massacre in Iran

Raisi, Kasapi i Masakrës së 1988-ës në Iran

Duke patur parasysh rolin e rëndësishëm të tij në këtë masakër, Raisi është përgjegjës për shumë, në mos për pjesën më të madhe të 30,000 varjeve e pushkatimeve që u kryen gjatë një periudhe afërsisht tre-mujore në verën e 1988-ës. Shumë kritikë e përshkruajnë fushatën presidenciale virtualisht të pasfiduar të Raisi-t si një shprehje të qëndrimit të papenduar të regjimit ndaj kësaj masakre dhe si një shenjë të mundshme që nën administratën e tij do të ketë një zgjerim të shtypjes ndaj disidencës.
Ky perceptim është përforcuar nga faktet që rrethojnë periudhën e Raisi-t si krye-gjyqtar, post që iu dha nga Lideri Suprem në fillim të 2019-ës, me sa duket si një hap në rrugën drejt presidencës. Gjatë kohës që ai udhëhiqte gjyqësorin shpërtheu një kryengritje mbarëkombëtare në nëntor 2019, në të cilën u bënë thirrje të qarta për ndryshim regjimi dhe sllogane si “vdekje diktatorit.” Këto trazira iu atribuan në masë të madhe përpjekjeve organizative të MEK, të cilët kishin qenë shënjestra kryesore e fetvas së Khomeini-t. Ky fakt u përdor për të justifikuar nivele të një represioni të dhunshëm që nuk ishin parë që nga koha e masakrës.
Brenda pak ditësh nga shpërthimi spontan i protestave në gati 200 qytete të vogla e të mëdha, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike filloi të hapte zjarr mbi turmat e protestuesve duke vrarë afërsisht 1,500 njerëz. Mbi 12,000 aktivistë u arrestuan në këto incidente dhe më vonë, raportet nga mbrojtësit e të drejtave njerëzore, përfshirë Javaid Rehman, konfirmuan që shumë nga të arrestuarit ishin torturuar nga gjyqësori i udhëhequr prej Raisi-t gjatë një periudhe disa-mujore.
Duke e sjellë në vëmendje rolin e tij në shtypjen e këtyre protestave si dhe në masakrën e 1988-ës, Amnesty International e ka përshkruar zgjedhjen presidenciale të Raisi-t si një kujtesë të faktit që “pandëshkueshmëria ka pushtet absolut në Teheran” dhe ka dënuar faktin që ai ka vazhduar të ngrihet në rangjet e regjimit në vend që të përballet me ndjekjen penale për krime kundër njerëzimit. Raporti më i fundit i Rehman-it duket se e pohon këtë ndjenjë, duke u fokusuar në mënyra të tjera përmes të cilave regjimi shpreh vetëbesim në pandëshkueshmërinë e tij, sidomos për sa i përket masakrës së 1988-ës.

“Raportuesi Special është i shqetësuar për raportet që tregojnë se autoritetet po përpiqen të vazhdojnë shkatërrimin e provave të shkeljeve të së kaluarës, duke përfshirë të ekzekutimeve masive pa gjyq të disidentëve politikë në 1988-ën,” thotë raporti. Ky shkatërrim i provave ka qenë temë e thirrjeve të shumta për veprim nga Amnesty International, Rehman, dhe mbrojtës të tjerë të të drejtave njerëzore gjatë viteve. Ky shkatërrim përfshin një numër projektesh ndërtimi të mbështetura nga qeveria, të cilat zhvillohen në vendet ku dyshohet se ndodhen varret masive të fshehta të shumë prej viktimave të masakrës.
Në shtator 2020, Rehman së bashku me gjashtë raportues specialë të tjerë të OKB-së sollën në vëmendje këtë dhe çështje të tjera të lidhura me masakrën e 1988-ës përmes një letre drejtuar autoriteteve iraniane. Tre muaj më vonë, pasi u bë e qartë se Teherani nuk kishte ndër mend t’i përgjigjej apelit për transparencë dhe  llogaridhënie, letra u publikua  për një audiencë ndërkombëtare. Teksti i saj bëri të qartë se ekspertët e OKB-së prisnin që komuniteti ndërkombëtar të merrte përsipër çështjen e kërkimit të llogarisë në mungesë të vullnetit të regjimit për ta ndryshuar qëndrimin e tij ndaj masakrës. Letra thekson gjithashtu me të drejtë se komuniteti ndërkombëtar ka qenë më parë neglizhent për sa i përket kësaj detyre, pasi e pati adresuar rrebeshin e vrasjeve në një rezolutë të të drejtave njerëzore në fund të 1988-ës, por nuk morën asnjë masë domethënëse lidhur me këtë dhe nuk vepruan për t’u kërkuar llogari autorëve kryesorë të masakrës. Në fakt, Rehman dhe kolegët e tij shkuan deri në atë pikë sa të thoshin se ky mosveprim ka patur një “impakt shkatërrimtar” në situatën e përgjithshme të të drejtave njerëzore në Iran dhe ka ndihmuar në rrënjosjen e pritshmërisë së regjimit për pandëshkueshmëri dhe të strategjisë së fshehjes së abuzimeve ndaj të drejtave njerëzore.

Violation of Human Rights in Iran

Dhunimi i të Drejtave Njerëzore në Iran

Fatkeqësisht, reagimi ndërkombëtar ndaj “zgjedhjes” së Raisi-t si president deri tani ka lënë përshtypjen se udhëheqësit perëndimorë kanë mësuar shumë pak nga kritikat e ekspertëve të OKB-së. Këta udhëheqës vetëm sa e kanë përforcuar edhe më tej ndjenjën e pandëshkueshmërisë që gëzon Teherani duke i dhënë legjitimitet të padrejtë një presidenti me një historik dhunimesh të rënda të të drejtave njerëzore që fillon që nga viti 1988 e vazhdon deri në 2019-ën. Në ceremoninë e inaugurimit të Raisi-t morën pjesë jo vetëm përfaqësues të partnerëve e aleatëve të regjimit iranian por edhe individë si Enrique Mora, zëvendës drejtori politik për Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm.
Nuk do të ishte e çuditshme nëse prania e zyrtarëve perëndimorë e bën administratën Raisi dhe regjimin në tërësi të arrijë në përfundimin se nuk do të përballet me kërkesa llogarie për dhunimet e të drejtave njerëzore në të shkuarën, pavarësisht se sa i mbron e i justifikon ato Teherani sot. Nëse kjo nuk është ajo që kishte për qëllim Bashkimi Europian duke dërguar Mora-n në ceremoninë e Raisi-t, atëherë as atij, as shteteve anëtare të tij nuk u intereson të vonohen në korrigjimin e këtij gabimi.
Këtë mund ta bëjnë duke bërë të qartë mbështetjen e tyre për thirrjet për veprim që u shumëfishuan me shpejtësi menjëherë pasi Raisi-t iu hap rruga për të qenë presidenti i ri i regjimit iranian. BE duhet t’i japë fund politikës së vjetër të mos-reagimit ndaj dhunimeve të të drejtave njerëzore nga regjimi dhe duhet të mundësojë një hetim të plotë ndërkombëtar mbi masakrën e 1988-ës, si dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të shumtë aktualë të regjimit që kanë qenë të përfshirë në të. Një hetim i tillë do të përgatisë terrenin për ndjekje penale në Gjykatën Penale Ndërkombëtar, nëse fuqitë e mëdha botërore do të kenë vullnetin politik për t’u kërkuar llogari kriminelëve që aktualisht mbajnë poste të larta qeveritare.

Nëse shtetet e Europës dhe Amerikave dëshirojnë të vazhdojnë të merren seriozisht si mbrojtëse të parimeve universale të të drejtave njerëzore, askush nuk duhet të konsiderohet i përjashtuar nga ndjekja penale, sanksionet, apo masa të tjera që kanë të bëjnë me llogari-dhënien, aq më pak kur është përgjegjës për një krim kaq të qartë kundër njerëzimit sa masakra e 1988-ës në Iran.

Dr. Alejo Vidal-Quadras

Alejo Vidal-Quadras, profesor i fizikës atomike dhe bërthamore, ka qenë zëvendës president i Parlamentit Europian nga viti 1999 deri në 2014-ën. Ai është President i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ)