Faktet e Pamohueshme që Kryengritja Iraniane Zbuloi  

262

Protestat e mëdha në Iran kanë hyrë në muajin e tetë, pavarësisht nga shtypja e ashpër e regjimit. Duke vazhduar luftën e tyre kundër të gjitha gjasave, iranianët kanë treguar vendosmërinë e tyre të palëkundur për të arritur ndryshimin e regjimit me çdo kusht. Por kjo nuk është e gjitha.

Kryengritja e vazhdueshme zbuloi disa fakte të pamohueshme për regjimin, shoqërinë dhe rolin e opozitës kryesore të Iranit, Mujahedin-e Khalq (MEK).

Vazhdimi i protestave, pavarësisht shtypjes së rëndë nga autoritetet, nxori në pah dobësinë e regjimit dhe mënyrën se si u organizuan këto protesta. Ajo solli gjithashtu në vëmendje faktin që regjimi ndodhet në një rrugë qorre. Regjimi klerikal nuk ka zgjidhje tjetër për krizat e vendit veçse të shtypë njerëzit që kërkojnë të drejtat e tyre.

Ky represion ka rritur shqetësimin e shoqërisë, duke bërë që kryengritjet të pasojnë njëra-tjetrën që nga viti 2018. Për më tepër, perspektiva e rënies së regjimit e ka detyruar komunitetin ndërkombëtar ta marrë në konsideratë këtë opsion, duke rezultuar në më shumë presion mbi regjimin.

Kryengritja mbarëkombëtare ka zbuluar dobësinë e regjimit, duke zhvlerësuar retorikën e tij të “fuqisë rajonale”. Në fakt, çdo kryengritje që nga viti 2018 ka dobësuar ndjeshëm teokracinë në pushtet. Megjithatë, demonstratat që shpërthyen pas vrasjes brutale dhe tragjike të Mahsa Amini në shtator, ishin një pikë kthese e cila bëri që regjimi të humbiste edhe atë pak legjitimitet që i kishte mbetur jashtë vendit. Sloganet me në shënjestër liderin suprem të regjimit, Ali Khamenei, të tilla si “Vdekje Khameneit” dhe “Khamenei ti vret, ne do të të varrosim”, e konfirmojnë këtë fakt.