EDITORIAL: Të Pafuqishëm Kundër Përparimeve të Rezistencës Iraniane, Mullahët e Pranojnë Popullaritetin dhe Ndikimin e MEK në Shtëpitë Iraniane

350

 

Diçka i ka detyruar mullahët e Iranit që ta lënë mënjanë politikën e vjetëruar të heshtjes lidhur me Rezistencën Iraniane dhe Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK).

Kjo diçka janë veprimtaritë e ‘Njësive të Rezistencës’ të MEK-ut brenda Iranit dhe reflektimi i tyre në protestat madhore të iranianëve në kryeqytetet botërore si dhe kongresi pesë-ditor ‘Liri për Iranin’ në Ashraf 3, Shqipëri, me praninë e rreth 350 personaliteteve politike nga 47 vende, kongres që prezantoi një imazh të ri të Rezistencës Iraniane para syve të botës.

Më 4 gusht 2019, Ali Rabie, zëdhënësi qeveritar i regjimit dhe një nga themeluesit e Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS), u ankua se ligjërata e Shtëpisë së Bardhë kundër regjimit është bërë e ngjashme me atë të MEK-ut.

E përditshmja Kayhan, e lidhur me Liderin Suprem të regjimit Ali Khamenei, shkroi më 8 gusht se MEK “ka depërtuar thellë në shtëpitë tona, dhe impakti i saj ndihet.”

Gjeneral Brigade Assadollah Nasseh i Gardës Revolucionare tha për televizionin shtetëror më 28 korrik: “Duhet ta dimë se çdo gjë që ndodh në botë kundër nesh është rezultat i lobimeve [të MEK-ut] diku, apo i një çmimi që ata kanë paguar… Për sa i përket çështjes së raketave, e dimë që ishte e bazuar në informatat që ata u kishin dhënë amerikanëve. Për sa i përket të drejtave njerëzore, ata përpilojnë dosje dhe ua japin europianëve dhe na bëjnë presion në këtë mënyrë. Përdorin çdo mënyrë ndikimi kundër nesh.”

Zyrtarët e regjimit iranian janë të tmerruar nga ideja e asaj që e shohin si pritje e ngrohtë për PMOI/MEK dhe Rezistencën Iraniane në rrjetet e mediave sociale. Komandantë të lartë të Gardës Revolucionare (IRGC) po e ngrenë zërin në kor:

Gjeneral Brigade i IRGC-së, Gholamreza Jalali, i cili kryeson forcat e mbojtjes civile të regjimit, tha për agjensinë shtetërore të lajmeve ISNA më 29 korrik: “Lufta jonë e re [me PMOI/MEK] në hapësirën kibernetike është më e vështirë sesa operacioni Mersad.” (Mersad, ose Operacioni Drita e Përjetshme, ishte një ofensivë madhore nga Rezistenca Iraniane që penetroi 100 milje brenda Iranit duke çuar në çlirimin e dy qyteteve në korrik 1988, gjë që e tronditi regjimin në themel.) “Gjurmët e gishtave [të MEK-ut] gjenden në shumë nga polemikat me të cilat përballemi. Shumë prej cikleve të lajmeve në hapësirën kibernetike që janë të orientuara kundër shtetit dhe revolucionit janë luftë psikologjike nga [MEK] kundër nesh… Ata [MEK] shfrytëzojnë disa nga rrethanat e dobëta ekonomike brenda vendit dhe i nxisin njerëzit të ngrihen.”

Më 29 korrik, Esmaeil Koësari, zëvendës-komandanti i Qendrës Sarallah të IRGC-së, tha për televizionin shtetëror: “Sot [MEK] përpiqen me sa kanë mundësi që ta poshtërojnë sistemin e shenjtë të Republikës Islamike në hapësirën kibernetike.”

Një nga themeluesit e IRGC-së, Gjeneral Brigade Abolghassem Forootan, tha për agjensinë shtetërore të lajmeve Mizan më 2 gusht se MEK-ët “duan t’i dëmtojnë vlerat e kombit dhe sistemit tonë me anë të përdorimit të hapësirës kibernetike dhe fuqisë së butë.”

Më 29 korrik, operativi i MOIS, Mohammad Javad Hasheminejad, u ankua për “praninë e 1,500 njësive [të MEK-ut] 24 orë në ditë” në rrjetet e mediave sociale dhe për rolin e tyre në “trazirat e 2018-ës në vend,” duke shtuar: “Duhet ta njohim armikun tonë dhe t’i dimë objektivat e tij në mënyrë që t’i kundërvihemi si duhet.”

Përballë rrethanave të vështira, mullahët e gjejnë shpëtimin tek përpjekjet për ta heshtur zërin e kundërshtarëve të tyre dhe për ta bllokuar lirinë e informacionit në mediat sociale. MOIS, IRGC, dhe Forca Quds (IRGC-QF) kanë nisur një fushatë të kotë për t’iu kundërvënë rezistencës në rritje ndaj regjimit me anë të makinerisë së propagandës dhe të luftës kibernetike.

Taktikat e tyre të njohura të shtypjes kundër Rezistencës Iraniane përfshijnë fushata demonizimi, shpërndarje të informacioneve dhe lajmeve të rreme, përdorim të email-eve dhe llogarive mashtruese, dërgim të email-eve kërcënuese, dhe injektim të viruseve e krimbave për të hack-uar kompjuterët dhe llogaritë e email-eve të mbështetësve të Rezistencës Iraniane.

Vala e email-eve të infektuara me virus, përpjekjet për të hack-uar uebsitet dhe rrjetet sociale të opozitës, rastet e përhapura të vjedhjes së identitetit dhe përpjekjet për ta ndotur atmosferën duke përdorur këto identitete të vjedhura janë pjesë e fushatës kibernetike të mullahëve kundër Rezistencës Iraniane.

E megjithatë, mediat shtetërore flasin për “mosveprim” nga ana e shtetit në përgjigjen ndaj ndikimit në rritje të Rezistencës Iraniane dhe thonë “zyrtarët kulturorë janë duke fjetur.” Thirrjet e tyre të nënkuptuara për censurë të mëtejshme të internetit tregojnë se veprimet e regjimit deri tani kanë qenë të paefektshme ose ndonjëherë kanë patur efektin e kundërt.