Shkruar nga Mahmoud Hakamian
Në vijim të vënies së sanksioneve amerikane mbi ministrin e jashtëm të regjimit iranian, Mohammad Javad Zarif, zyrtarët e regjimit kanë shprehur njëri pas tjetrit frikën e tyre lidhur me situatën aktuale.
Më 5 gusht 2019, në një konferencë për shtyp, Zarif po bërtiste përpara gazetarëve ndërkohë që thoshte se nuk ishte i nxehur. Ai ankohej gjithashtu se nëse SHBA dëshiron të negociojë, atëherë pse i ka vendosur atë dhe liderin suprem të regjimit në listën e sanksioneve.
“Mos shkruani se Zarif ishte i nxehur, po të mos bërtisja, ju nuk do të më dëgjonit. Thonë se Zarif është i nxehur. Shikoni, jam duke qeshur. Nuk jam fare i nxehur. Nuk jam fare i shqetësuar… Janë amerikanët ata që kanë sanksionuar ministrin e jashtëm të një vendi me të cilin duan të negociojnë. Ata kanë sanksionuar autoritetin më të lartë në Republikën Islamike, pra Liderin Suprem Ali Khamenei… nëse amerikanët duan të bëjnë të fortin me ne… të paktën të na thonë se çfarë kërkojnë,” u tha Zarif reporterëve gjatë një konference për shtyp të transmetuar në televizionin shtetëror të hënën më 5 gusht.
Më 7 gusht, presidenti i regjimit Hassan Rouhani përsëriti ankthin e Zarif-it. Ai po kërcënonte ndërkohë që i përgjërohej SHBA-së për negociata.
Zyrtarë të tjerë të regjimit nga të dyja grupimet kanë shprehur gjithashtu shqetësime dhe ankthe të ngjashme.
Tani, pyetja është pse mullahët janë kaq të frikësuar.
Pa dyshim, situata për regjimin po përkeqësohet e vështirësohet dita ditës, sepse eksporti i naftës, që është burimi kryesor i të ardhurave të regjimit, ka rënë nga 1.5 milion në 100,000 fuçi në ditë. Vetë kjo gjë mund ta shpjegojë se sa e keqe është situata për regjimin.
Përveç situatës ekonomike, regjimi ka probleme serioze politike. Sanksionet amerikane kundër Liderit Suprem dhe Zarif-it i dhanë një goditje shumë të fortë regjimit. Kjo shënoi fundin e politikës së paqësimit.
Nga ana tjetër, një seri demonstratash anti-regjim në mbarë botën, si dhe tubimi i madh i Rezistencës Iraniane në Shqipëri dhe përurimi i Ashraf 3 në korrik 2019 ishin një tjetër goditje e stërmadhe ndaj regjimit. Mesazhi i këtyre veprimtarive ishte se ekziston një alternativë e fortë dhe e besueshme ndaj regjimit.
Në rrethana të tilla, për shkak të sanksioneve, regjimit po i zihet fryma ekonomikisht.