Saturday, February 4, 2023

Regjimi Iranian Var Shtatë të Burgosur

 

Shkruar nga Mansoureh Galestan 

Regjimi Iranian ka varur të paktën shtatë të burgosur ditët e fundit, sipas një grupi që monitoron situatën e të drejtave të njeriut brenda vendit.

Monitoruesi i të Drejtave Njerëzore në Iran raportoi të martën se dy të burgosur ishin varur të shtunën, më 10 gusht, në burgun qendror të Mashhad, sipas një raporti në të përditshmen e Khorasan të dielën. Media shtetërore nuk i ka identifikuar viktimat me emër por ka thënë se do të publikojë një raport të plotë në ditët që vijojnë.

Në një tjetër zhvillim të mërkurën e shkuar, pesë të burgosur u varën në burgun famëkeq Raja’i Shahr (Gohardasht), në qytetin Karaj, në veri-perëndim të Teheranit, sipas Iran HRM. Emrat e të ekzekutuarve janë shpallur si Mohammad-Reza Shekari, Yousof Zakeri, Majid Arabali, Hossein Panjeh-Maryam, dhe Bahram Tork.

Këta të burgosur, së bashku me disa të tjerë, i kishin zhvendosur në burgim të izoluar përpara ekzekutimit.

Regjimi zakonisht i zhvendos të burgosurit që janë në listë për t’u varur së shpejti në burgim të vetmuar ku u duhet të numërojnë minutat e orët deri sa një xhelat t’i marrë e t’i çojë te trekëmbëshi.

Regjimi iranian ka varur 39 të burgosur vetëm brenda korrikut. Katër prej tyre kanë qenë gra, dhe një person është varur në publik.

Ekzekutimet janë kryer në burgjet e Birjand, Ghohardasht, Karaj, Kashan, Khondab, Mahshahr, Kelardasht, Orumieh (Urmia), Noor, Mashhad, Mahabad, Zanjan, Minab, Bandar-Abbas, Borujerd, Shiraz, Tabriz, Gorgan, Dezful, Rasht dhe Kermanshah.

Regjimi i Iranit mban rekordin botëror në ekzekutimet per kapita. Mbi 3,800 njerëz janë ekzekutuar në Iran që kur Hassan Rouhani mori detyrën si President në vitin 2013.

 

Regjimi i mullahëve e përdor dënimin me vdekje si vegël për ta shtypur dhe heshtur shoqërinë e pakënaqur, ku shumica e njerëzve jetojnë nën kufirin e varfërisë, janë të papunësuar dhe nuk e gëzojnë lirinë e shprehjes.

Organet e OKB-së për të drejtat e njeriut e kanë dënuar regjimin iranian në 65 raste për shkeljet e tij të rënda të të drejtave njerëzore.