Pasi kreu një akt lufte duke sulmuar instalacionet e naftës në Arabinë Saudite, presidenti i regjimit iranian, Hassan Rouhani, shkoi në New York me një plan qesharak “Paqeje në Hormuz,” duke shpresuar se do të mund ta bënte palën tjetër t’i jepte lëshime të mëtejshme.
Regjimi iranian mendonte se mund t’i bënte shantazh komunitetit ndërkombëtar me terrorizëm e luftënxitje e të kalonte në pozicion avantazhi. Ai nuk e kuptonte që, meqë politika e paqësimit ka dështuar, këto veprime do të kishin një efekt të kundërt. Bota e pa që lëshimet që i janë bërë regjimit përmes paktit bërthamor të 2015-ës, i njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), nuk kanë mundur ta përmirësojnë sjelljen e regjimit; përkundrazi, ato vetëm sa e kanë trimëruar edhe më tej që të vazhdojë me terrorizëm dhe sulme me raketa e dronë. Me fjalë të tjera, është e qartë tashmë që ky regjim nuk e ka kapacitetin as t’i pranojë zgjidhjet bujare që ofron Franca.
Pothuajse një vit e gjysmë më parë në SHBA, presidenti i Francës propozoi një plan për ta parandaluar tërheqjen e SHBA-së nga JCPOA. Sipas këtij plani, regjimi iranian duhej të pranonte të bënte negociata lidhur me programet e tij të raketave balistike dhe me ndërhyrjet e tij në rajon, por regjimi refuzoi, duke e kthyer kështu planin e Francës në një dështim.
Ndërkohë që po zhvillohej Asembleja e Përgjithshme e OKB-së, tre fuqitë europiane – Britania, Franca, dhe Gjermania – në një deklaratë të përbashkët – dënuan rolin e regjimit iranian në sulmin mbi komplekset saudite të naftës, duke thënë: “Është e qartë për ne që Irani mban përgjegjësinë për këtë sulm. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër të besueshëm.”
Për më tepër, Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha në një deklaratë më 25 shtator: “Shkeljet e Iranit nuk janë thjesht shkelje teknike të rregullave ndërkombëtare; ato janë veprime destabilizuese serioze dhe sistematike që minojnë sundimin ndërkombëtar të ligjit. Këto veprime duhet të ndiqen nga pasoja.” Lidhur me sulmin mbi instalacionet saudite të naftës, z. Raab tha: “Tani jemi të bindur që përgjegjësinë e ka Irani. … Kjo sjellje është e barasvlefshme me një sulm të armatosur mbi Arabinë Saudite, një shkelje e njërit prej parimeve bazë të ligjit ndërkombëtar sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara.”
Në kontrast me pozicionin e mëparshëm të Britanisë, Sekretari i Jashtëm britanik deklaroi se JCPOA “nuk ka qenë e projektuar për të adresuar shqetësimin tonë të vazhdueshëm lidhur me sjelljen më të gjerë destabilizuese të Iranit në rajon.”
Ai shtoi: “Historiku i tmerrshëm i Iranit për sa i përket të drejtave njerëzore vazhdon të jetë një shqetësim serioz për Mbretërinë e Bashkuar” dhe “Historiku i Iranit lidhur me respektin për rregullat bazë të ligjit ndërkombëtar është i mjerueshëm, dhe po përkeqësohet.”
Në fjalimin e tij në Asemblenë e Përgjithshme më 24 shtator, Presidenti amerikan Donald Trump bëri një diferencim midis popullit iranian dhe regjimit të mullahëve, duke thënë: “Qytetarët e Iranit meritojnë një qeveri që kujdeset për ta reduktuar varfërinë, për t’i dhënë fund korrupsionit, dhe për të shtuar vendet e punës — e jo që ua vjedh paratë për të financuar një masakër jashtë dhe brenda vendit.” Duke e përshkruar regjimin e mullahëve si sponsorin shtetëror numër një në botë të terrorizmit, ai deklaroi: “Për sa kohë që sjellja kërcënuese e Iranit do të vazhdojë, sanksionet nuk do të hiqen; ato do të forcohen edhe më tej. Si përgjigje ndaj sulmit të Iranit mbi komplekset e naftës në Arabinë Saudite, ne sapo vendosëm nivelin më të lartë të sanksioneve mbi bankën qendrore dhe fondin sovran të pasurisë të Iranit.”
Çka është më e rëndësishmja, pas Asemblesë së Përgjithshme, BE i dërgoi një mesazh regjimit iranian ku thoshte se, nëse ai nuk e ndal shkeljen e angazhimeve të tij sipas kushteve të JCPOA-së deri në muajin e ardhshëm, BE do të tërhiqet gjithashtu nga pakti, gjë që do të sillte fundin për JCPOA-në.
Në New York, regjimi i mullahëve u pa se ishte më i izoluar se kurrë, dhe Rouhani u kthye duarbosh. Ky udhëtim e tregoi më qartë se kurrë rrugën qorre ku kanë ngecur mullahët. Regjimi nuk është i aftë të veprojë në përputhje me normat ndërkombëtare dhe t’i japë fund projekteve bërthamore e të raketave apo luftënxitjes në rajon. Kjo sepse një gjë e tillë do të çonte në kolaps të brendshëm për të. Por ai është gjithashtu i paaftë t’i bëjë ballë një shoqërie shpërthyese, shtimit të sanksioneve ndërkombëtare dhe një Rezistence të organizuar. Kjo është një rrugë qorre nga e cila regjimi nuk mund të dalë dot i gjallë.