Ardhja e Novruzit në Iran, i Zhveshur nga Shkëlqimi i Tij

814

A-third-of-Iranians-living-in-absolute-poverty20 marsi, i njohur si “Novruz”, ose dita e re, shënon fillimin e Vitit të Ri Pers 1401. Në të vërtetë, do të jetë një ditë e re për iranianët, me më shumë fatkeqësi ekonomike se e djeshmja.

Ndryshe nga ajo që apologjetët e regjimit iranian po përpiqen të paraqesin, Nevruzi, me festimet e tij të mrekullueshme, nuk është më një lajmëtar i haresë dhe ngazëllimit për iranianët, për shkak të politikave shkatërrimtare të regjimit të mullahëve. Njerëzit nuk munden të nderojnë traditat e festës më të rëndësishme kombëtare të tyre; prindërit nuk munden të blejnë dhurata për fëmijët e tyre, as të ftojnë të afërmit apo të përgatisin tryezën shumëngjyrëshe “Haft Sin (Shtatë ‘S’)”.

“Shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të blejnë atë që u nevojitet në prag të Novruzit. Ata nuk mund të blejnë veshje, ushqime, pajisje shtëpiake, etj. Kjo situatë jep imazhin e qartë të përhapjes së varfërisë, rritjes së distancave sociale dhe rënies së fuqisë blerëse të njerëzve”, shkroi e përditshmja shtetërore Etemad më 15 mars.

Rrëfimi i historisë së vështirësive të popullit gjatë krizës ekonomike të vendit, kryesisht para Novruzit, por refuzimi për të ofruar zgjidhje, ka qenë tema e përbashkët e mediave shtetërore të kontrolluara rreptësisht në Iran.

Lajme dhe pamje nga Irani tregojnë njerëzit “duke bërë në vitrina” në prag të Novruzit. “Mjafton të vizitosh shkurtimisht dyqanet. Do të shihje shumë familje dhe individë duke “blerë në vitrina” dhe do të shikoje me zili çmimet në rritje dhe artikujt e këndshëm por të shtrenjtë”, shtoi e përditshmja Etemad.

Megjithatë, Ebrahim Raisi, presidenti i regjimit, foli hapur për “çrrënjosjen e varfërisë brenda dy javëve!”

“Ata zyrtarë që flasin për zhdukjen e varfërisë brenda dy javësh, duhet të vizitojnë tregun dhe të shohin sytë e shqetësuar dhe të turpëruar të atyre prindërve, të cilët marrin nga ky treg i zhurmshëm vetëm zilinë e fëmijëve të tyre dhe zemërimin e tyre në rritje”, shkruan e përditshmja Etemad, duke u tallur me premtimet boshe të Raisit ndërsa i referohet gjindosjes së popullit për shkak të problemve gjithnjë e më të mëdha financiare.

Për shekuj me rradhë, iranianët janë përpjekur t’i nderojnë traditat e tyre gjatë Novruzit. Një nga këto tradita është servirja e pjatës tradicionale perse “Sabzi-Polo ba Mahi”, ose peshku me oriz dhe perime, e cila simbolizon kërkimin e përjetshëm për paqen dhe dashurinë, disa orë pas ekuinoksit pranveror. Tani, me miliona njerëz poshtë pragut të varfërisë, iranianët mund ta shikojnë vetëm në ëndërr atë pjatë tradicionale.

“Kostot e festimit të Novruzit për një familje me katër anëtarë me të ardhura të ulta deri në mesatare, janë rritur, duke i penguar njerëzit të sigurojnë nevojat e tyre bazë,” pohoi më 17 mars e përditshmja shtetërore Arman-e Meli.

Përveç kësaj, lajme nga Irani tregojnë se zyrtarët e regjimit refuzojnë të paguajnë të ashtuquajturat “bonuse dhe paga minimale zyrtare” për punëtorët.

“Nuk i kemi marrë bonusin për Novruzin dhe shpërblimet e tjera gjatë 14 viteve të fundit dhe nuk kemi ku të shkojmë,” citohen nga ILNA punonjësit e bashkisë së Iranshahr në Iranin juglindor.