Sunday, February 5, 2023

E burgosura politike rebele, Maryam Akbari Monfared, u drejtohet protestuesve iranianë

Në prag të viti të saj të 14-të në burg, Maryam Akbari këshillon protuestuesit e arrestuar

 dhe familjarët e tyre

Kanë kaluar 13 vjet nga arrestimi dhe burgimi i të burgosurës politike rebele, Maryam Akbari Monfared. Ajo u dërgua në burgun Evin “për të dhënë disa shpjegime” në mesnatën e 29 dhjetorit 2009, pa mundur t’u thotë lamtumirë vajzave të saj. Por ajo nuk u kthye më në shtëpi.

E burgosura politike Maryam Akbari Monfared i ka kaluar të gjitha këto 13 vite në burg pa asnjë ditë leje.

Në një letër që dërgoi në fillim të vitit të 14-të të burgimit të saj nga internimi në burgun qendror të Semnanit, e burgosura politike Maryam Akbari Monfared shkruan: “Kjo që po lexoni nuk është një trillim; është historia e vërtetë e vuajtjeve të vetëm një personi mes 85 milionë njerëzve.”

E burgosura politike Maryam Akbari Monfared është motra e katër dëshmorëve të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit. Ajo u dënua me 15 vjet burg me akuzën e Moharebeh, ose luftës kundër Zotit, sepse kërkoi drejtësi për ta.

Në këtë letër, ndërsa shpreh përvojat e saj të rezistencës në burg, ajo këshillon protestuesit e guximshëm të arrestuar dhe familjarët e tyre që t’i luftojnë hetuesit duke forcuar besimin e tyre në kauzën e lirisë.

Më poshtë vijojnë disa pjesë të letrës nga e burgosura politike Maryam Akbari Monfared:

Trembëdhjetë vjet është një betejë e jashtëzakonshme për t’u kaluar sekondë pas sekonde. Thjesht numërimi i 13 viteve ditë pas dite (dmth 4 mijë e 745 ditë) e lodh njeriun, aq më pak nëse do të kalojë 4 mijë e 745 ditë një nga një në mesin e një beteje të pabarabartë. Nuk është një histori prej 4000 faqesh; është realiteti i zhveshur i jetës që na kanë imponuar disa fashistë sepse nuk donim të dorëzoheshim.

Maryam Akbari Monfared dhe familja që i ka munguar për 13 vite

Edhe pse doja të isha me fëmijët e mi, cila nënë nuk do të donte? Por nuk pendohem dhe jam më e vendosur të vazhdoj rrugën time. E kam thënë këtë në çdo seancë zyrtare dhe jozyrtare të marrjes në pyetje dhe jam e lumtur ta përsëris!

Unë qëndrova larg fëmijëve të mi për 13 vjet, por e pashë krimin me sytë e mi për 13 vjet dhe vendosmëria ime u bë më e fortë.

Ky është një dokumentar i heshtur për shtypjen e grave. Është e vështirë të dëgjosh njërën prej tyre, aq më pak të jetosh me qindra prej këtyre simboleve të torturuara dhe të ndjesh dhimbjen e tyre me lëkurë e mish.

Në 13 vjet, pashë dhjetëra fëmijë dhe qindra adoleshentë e të rinj në të njëjtën moshë me vajzat e mia, dhe i preka dhe fola me ta.

Nëse më pyesni si mbijetova në errësirën e torturave dhe rraskapitjes së kohës? Unë them se flaka e ndezur e besimit në zemrën time më ka mbajtur të palëkundur.

Mes vetmisë me duar bosh, kjo flakë e ngrohtë dhe rebele është ajo që hetuesit duan t’i vjedhin të burgosurës që në momentin e parë të arrestimit, në mënyrë që qenia e saj të ngrijë dhe t’i dorëzohet zgjedhës.

Por unë e mbajta të ndezur për 13 vjet me furinë e shenjtë ndaj torturave që pashë dhe që më shpuan zemrën! Kam qeshur dhe kam bërë të tjerët të qeshin në mënyrë që të qëndroj e palëkundur sepse rezistenca është zemra jonë.

Besimi në kauzën për të cilën vdiqën vëllezërit dhe motrat e mia. Besimi në rrugën që ndoqa dhe në grushtat e shtrënguar dhe hapat e vendosur të të rinjve që tani protestojnë në rrugë kundër diktaturës me trupin dhe jetën e tyre.

Po, shtypja dhe besimi në pafajësinë e vëllezërve dhe motrave të mia, të cilët nuk i kam konsideruar kurrë të vdekur; ata ishin dhe janë më të gjallët për mua. Më kapnin dorën në çdo moment të kohës sime në burg. Dhe tani i gjej në rrugët e Iranit.

E pashë Alireza-në (të ekzekutuar në vitin 1980) në grushtat e shtrënguar të atij djali të ri në Naziabad.

Roghiyeh (ekzekutuar në burgun Evin në verën e vitit 1988) iu kundërvu gardianëve represivë. Dëgjova zërin e Abdul Reza (ekzekutuar në Gohardasht në verën e vitit 1988) në thirrjet e vazhdueshme për liri nga të rinjtë e moshës së tij.

Gholamreza-në (i cili vdiq nga torturat në burgun Evin në vitin 1985) e gjej mes të rinjve që vriten nën torturë.

E burgosura politike Maryam Akbari Monfared dhe motra e vëllezërit e saj të vrarë

Po, donin t’i varrosnin dhe t’i mbanin anonimë, por tani shohim sesi brezi trim vazhdon rrugën e po atyre të rinjve që nuk iu dorëzuan Khomeinit.

Me çdo lajm proteste dhe kryengritjeje, kjo flakë rebele besimi shkëlqen në zemrën time, ndërsa unë jam midis grave, shpresa e vetme e shpëtimit të të cilave është të thyejnë këto dyer të hekurta.

Për vajzat dhe djemtë e mi të patrembur në rrugë, dëshiroj me zjarr çdo moment të jem me ta; nëse arrestoheni, mos u besoni hetuesve. Ata nuk janë si ne! Armiku është armik në çdo moment!

Rritni sa më shumë besimin në kauzën tuaj. Ky besim është e vetmja gjë që mund t’ju ndihmojë në vetminë e izolimit.

Unë u them familjarëve të të burgosurve që të shpërfillin premtimet, frikën dhe kërcënimet. Ju mund t’ua shpëtoni jetën fëmijëve tuaj vetëm duke i bërë njerëzit të thërrasin dhe të përsërisin emrat e tyre! Asnjë hetues nuk do t’ia dijë për interesin tuaj. Mos heshtni. Thjesht thërrisni!

Për familjet e pikëlluara, për çdo nënë që sakrifikoi njeriun e saj të dashur dhe për të gjithë ata që humbën një vëlla apo motër, përulem para dëshmorëve të tyre dhe u them se ndaj dhimbjen e tyre. U zgjat dorën atyre nga prapa hekurave dhe zotohem se do të qëndroj pranë tyre me më shumë vendosmëri se kurrë për të kërkuar drejtësi.

Po flas për 13 vite betejë pa u ndalur, por për ta përmbledhur shkurt: “Në fund një ditë do të këndoj këngën e fitores nga maja e malit si dielli”.

E nesërmja është e jona.