Associated Press
TEHERAN, Iran (AP) — Të martën, presidenti i Iranit u tërhoq në lidhje me mundësinë e bisedimeve me Donald Trump, duke thënë se presidenti amerikan duhet më parë t’i heqë sanksionet e vëna mbi Teheranin, përndryshe një takim mes të dyve do të ishte thjesht për reklam.
Hassan Rouhani-t i ndryshoi mendja një ditë pasi Trump tha të hënën se ekziston një “mundësi shumë e mirë” që ata të dy të takohen lidhur me çështjet bërthamore, pas një ndërhyrjeje të papritur nga Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë samitit të G-7 për t’i afruar Uashingtonin dhe Teheranin pas disa dekadave konflikti.
“Pa tërheqjen e SHBA-së nga sanksionet, nuk do të kemi asnjë zhvillim pozitiv,” tha Rouhani në një fjalim të transmetuar në TV të martën, duke shtuar se Uashingtoni “ka çelësin” e asaj që do të ndodhë.
“Nëse dikush ka ndërmend ta bëjë thjesht si një mundësi fotografimi për reklam me Rouhani-n, kjo nuk është e mundur,” tha ai.
Më herët të hënën, Rouhani kishte shprehur gatishmërinë të negocionte për një zgjidhje të krizës që lindi pas tërheqjes së Amerikës nga pakti bërthamor.
“Po ta dija që pjesëmarrja në një takim dhe vizita me një person do ta ndihmonte zhvillimin e vendit tim dhe do t’i zgjidhte problemet e popullit, nuk do të mungoja,” kishte thënë ai. “Edhe nëse shanset e suksesit nuk janë 90% por 20% apo 10%, duhet ta bëjmë këtë gjë. Nuk duhet ta humbasim mundësinë.”
Rouhani e mbrojti gjithashtu ministrin e tij të jashtëm, Mohammad Javad Zarif, kundër kritikave të ashpra lidhur me vizitën e tij të papritur të dielën në Biarritz të Francës, ku ishin të mbledhur liderët e Grupit të Shtatë demokracive të pasura të botës.
Televizioni iranian në gjuhën angleze Press TV nxori një deklaratë të mjegullt e anonime më vonë të hënën, ku refuzonte iniciativën e Macron-it.
Macron tha se shpresonte që Trump dhe Rouhani të takoheshin brenda pak javësh me shpresën e shpëtimit të paktit bërthamor të 2015-ës që Teherani ka lidhur me fuqitë botërore, por nga i cili SHBA u tërhoq vitin e shkuar. Sipas kësaj marrëveshjeje, Irani binte dakord ta kufizonte pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
Të martën, Macron e pranoi se përpjekjet e tij për t’i afruar Iranin dhe SHBA-në janë “të brishta” por tha që sheh ende një “shteg të mundshëm” për pajtim midis tyre.
Ftesa e Zarif-it në samitin e G-7 si një i ftuar i papritur ishte një manovër e rrezikshme diplomatike por ndihmoi në krijimin e “kushteve të mundshme për një takim të dobishëm,” tha Macron.
Është përgjegjësia e Francës që të luajë “rolin e një fuqie balancuese,” tha Macron, duke shtuar se përpjekjet e tij sollën shpresë për një “ulje të përshkallëzimit” të tensioneve.
Që kur SHBA u tërhoq nga pakti bërthamor, Irani ka humbur biliona dollarë në marrëveshje biznesi që ishin lejuar nga ky pakt, pasi SHBA rivendosi dhe përshkallëzoi sanksionet që ia bllokojnë Teheranit shitjen e naftës krudo jashtë vendit, shitje të cilat janë një burim thelbësor valute për Republikën Islamike.