Regjimi Iranian Var Edhe Një Grua Tjetër

576

Regjimi Iranian vari edhe një grua tjetër të dielën në qytetin veri-lindor Mashhad, kanë raportuar mediat shtetërore të hënën.

Gruaja e paidentifikuar u var mëngjesin e 25 gushtit 2019 në Burgun Qendror të Mashhad, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve ROKNA.

Ajo ishte shpallur fajtore për vrasje.

Ajo ishte gruaja e 94-t e ekzekutuar në Iran që kur Hassan Rouhani mori detyrën si President në 2013-ën.

Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit e ka dënuar ekzekutimin e gruas së 94-t nga regjimi i mullahëve për shkak se ajo është viktimë e ligjeve dhe politikave misogjiniste të regjimit klerikal dhe shkatërrimit që ai i ka bërë ekonomisë.

Komiteti i Grave i NCRI-së u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat njerëzore dhe të grave që të ndërhyjnë dhe t’i japin fund dënimit me vdekje në Iran.

Regjimi iranian ka ekzekutuar katër gra brenda vetëm tetë ditësh në korrik.

Maliheh Salehian nga Miandoab u var më 16 korrik 2019 në Burgun Qendror të Mahabad, në provincën perëndimore Kurdistan të Iranit, sipas grupit të të drejtave njerëzore Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran (Iran HRM).

Zahra Safari Moghaddam, 43 vjeç, u var në burgun e Nowshahr të Iranit verior, më 17 korrik 2019.

Arasteh Ranjbar dhe Nazdar Vatankhah, dy kunata që kishin kaluar 15 vite në burg, u varën në burgun qendror të Urmias, në Iranin veri-perëndimor, më 23 korrik 2019.

Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran tha në një raport që ka qarkulluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 16 gusht, se vitin e shkuar ka patur shkelje të vazhdueshme të së drejtës për jetë, liri dhe gjykim të drejtë në Republikën Islamike, duke përfshirë 253 ekzekutime të raportuara të të rriturve e fëmijëve.

Raportuesi Special Javaid Rehman tha se numri i ekzekutimeve në Iran “mbetet një nga më të lartët në botë.”