Wednesday, February 1, 2023

Ndërkohë që Irani arrin në mbi 108,800 vdekje, Khamenei krahason krizën e COVID-19 me luftën Iran-Irak duke e quajtur bekim

Iran, IRGC, Iran Protests, mek, coronavirus, war, khameneiGjatë fjalimit të tij në përvjetorin e luftës Iran-Irak, lideri suprem i regjimit iranian Ali Khamenei e pranoi edhe një herë politikën kriminale të regjimit për përdorimin e COVID-19 për ta vënë nën kontroll shoqërinë, duke e krahasuar situatën me kohën e luftës e duke thënë se ka qenë bekim për regjimin.

“Lufta është natyrisht një dukuri e tmerrshme dhe e dhunshme. Por kjo dukuri e dhunshme dhe e tmerrshme që zgjati tetë vite solli bekime për ne, siç i numërova më herët, dhe mund të thuhet edhe më shumë për këtë. Me fjalë të tjera, ne fituam të mira e freski nga ajo.”

Khamenei e krahasoi situatën aktuale në Iran me kohën e luftës, duke konfirmuar kështu se ka ndërmend ta përdorë koronavirusin vdekjeprurës për ta mbajtur të shtypur shoqërinë e trazuar iraniane, ashtu si pararendësi i tij, Ruhollah Khomeini.

Lufta Iran-Irak, të cilën Khomeini e zgjati për tetë vite, rezultoi në vdekjen e një milion iranianëve, plagosjen e dy milion njerëzve dhe shpërnguljen e dy milion njerëzve të tjerë nëpër Iran. Edhe pse qeveria irakene propozoi një armëpushim pas shumë muajsh shkatërrimi më 17 qershor 1982, Khomeini nuk e pranoi ofertën. Khomeini e mirëpriti luftën si një gjë të miër, duke e quajtur atë “një bekim hyjnor,” teksa e përdorte në mënyrë demagogjike për të goditur çdo kundërshtim ndaj regjimit të tij duke e quajtur kolonë të pestë irakene.

Khamenei e ka quajtur pandeminë e COVID-19 një “sprovë dhe bekim” edhe prillin e shkuar duke thënë: “Për sa i përket problemit aktual të vendit – shpërthimit të koronavirusit – epo, kjo është një epidemi dhe një sprovë. Ka patur sprova edhe më të mëdha, i kemi parë disa edhe në vendin tonë. Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme. Këto incidente ndodhin nëpër vende, megjithëse nuk po përpiqem ta minimizoj problemin, por nuk duhet ta ekzagjerojmë. Kjo është diçka që ka ndodhur dhe do të kalojë. Por eksperiencat që do të fitojmë nga kjo sprovë, veprimtaritë e njerëzve dhe organizatave mund të kthehen në një mundësi. Nëse i mbajmë këto mundësi, kjo sprovë do të kthehet në një bekim dhe ky kërcënim do të kthehet në një mundësi.”

Një student iranian në luftën Iran-Irak

Ministria e Arsimit e regjimit pati shpallur më 5 janar 1989 se gjatë luftës kishte dërguar 440,000 studentë në vijat e para në fushat e minuara. Në mënyrë të ngjashme, në 2020-ën regjimi zhvilloi provimet e pranimit në universitete në gusht dhe rihapi shkollat, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga profesionistët e shëndetit se kjo gjë mund ta rrisë më tej numrin e infektimeve me COVID-19 dhe numrin e vdekjeve mes studentëve.