Javët e fundit, regjimi në Iran e ka intensifikuar fushatën e shantazheve për ta detyruar komunitetin ndërkombëtar që t’i dorëzohet kërkesave malinje të regjimit. Teherani ka shpallur se ka nisur pasurimin e uraniumit me 20 përqind në qendrën bërthamore në Fordoë. Të hënën, Garda Revolucionare e regjimit (IRGC) kapi në mënyrë të paligjshme një anije koreano-jugore në Gjirin Persik.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa të rrepta duke qenë se veprimtaritë e vazhdueshme agresive të Teheranit kanë vazhduar pavarësisht këmbënguljes së fuqive perëndimore në politikën e paqësimit.
Regjimi është përpjekur të fajësojë komunitetin ndërkombëtar për mosrespektimin e tij ndaj paktit bërthamor të 2015-ës me fuqitë botërore, pakt që njihet zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA). Teherani është përpjekur gjithashtu ta akuzojë anijen koreano-jugore se ka ndotur ujërat e Gjirit Persik.
E megjithatë, e përditshmja shtetërore Vatan-e Emrooz, e cila është e lidhur me IRGC, konfirmoi të hënën qëllimet e vërteta të regjimit prapa këtyre veprimeve, të cilat janë pjesë e fushatës së shantazhit.
“Pasurimi i uraniumit me 20% ka qenë karta fituese [e regjimit] në përballjen me qeveritë perëndimore. Qeveria e [Hassan] Rouhani, në fillim të bisedimeve bërthamore në Gjenevë dy vite para JCPOA-së, pati pranuar bujarisht të ndalonte si këmbim për heqjen e sanksioneve dhe njohjen e të drejtës së Iranit për pasurim, ndërkohë që asnjëri prej këtyre kushteve nuk është plotësuar. Tani, në rrethana të tilla, ky lëshim mund t’i detyrojë përsëri nënshkruesit e JCPOA-së t’i zbatojnë detyrimet e tyre sipas kushteve të JCPOA-së, dhe kështu ta rikthejnë balancën në numrin e detyrimeve ndaj marrëveshjes bërthamore. Me fjalë të tjera, ekspertët besojnë se fillimi i pasurimit me 20% nga Irani mund ta rrisë probabilitetin e heqjes së sanksioneve shumë më tepër se më parë,” shkruante Vatan-e Emrooz të hënën.
E përditshmja shtetërore Vatan-e Emrooz e regjimit iranian
Regjimi filloi t’i shkelte detyrimet e tij sipas kushteve të JCPOA-së në 2018-ën. Ky shantazh bërthamor kishte për qëllim t’i detyronte nënshkruesit europianë të marrëveshjes që t’i jepnin paketa stimujsh financiarë regjimit, i cili ishte nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.
SHBA u tërhoq nga JCPOA në 2018-ën, duke dhënë si shkak mos-zbatimin e marrëveshjes nga ana e Iranit dhe shkeljen që Irani i bën “shpirtit të JCPOA-së” duke përhapur terrorizëm në rajon.