Monday, February 6, 2023

Zyrtari i lartë iranian mbron masakrën e 1988-ës, betohet për t’i shfarosur MEK-ët

Mostafa Pour-Mohammadi, Këshilltar i Kryegjyqtarit të regjimit iranian dhe ish-ministër i brendshëm dhe i drejtësisë, e ka mbrojtur paturpësisht masakrën e 1988-ës në Iran ku u vranë dhjetëra mijëra të burgosur politikë, dhe është betuar se do të vazhdojë t’i ndjekë e t’i shfarosë anëtarët e opozitës Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur ndryshe si Mujahedin-e Khalq (MEK).

Pour-Mohammadi, i cili në 1988-ën ishte pjesë e Komisionit të Vdekjes të Teheranit që dënonte me vdekje të burgosurit politikë, e mbrojti këtë krim kundër njerëzimit në një intervistë me revistën shtetërore Mosalas më 25 korrik 2019. Mosalas e ka postuar gjithashtu online videon e intervistës.

Mbrojtja tronditëse që Pour-Mohammadi i bëri ekzekutimit jashtëgjyqësor në 1988-ën të rreth 30,000 anëtarëve e mbështetësve të PMOI-së (MEK) në burgjet iraniane, është shenjë e pandëshkueshmërisë që gëzojnë autorët kryesorë të kësaj masakre dhe tregon se regjimi ka ndërmend të vazhdojë me shfarosjen e aktivistëve të PMOI-së në Iran.

Në mars 2019, Lideri Suprem i regjimit iranian caktoi Ebrahim Raisi-n, i cili në 1988-ën qëndronte përkrah Pour-Mohammadi-t në Komisionin e Vdekjes të Teheranit, si Kryegjyqtar.

Të mbijetuarit, familjarët e të ekzekutuarve dhe mbrojtësit e të drejtave njerëzore janë në rrezik persekutimi thjesht pse kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë lidhur me masakrën e 1988-ës, sipas grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Faktet:

  • Mbi 30,000 të burgosur politikë u masakruan në Iran në verën e 1988-ës.
  • Masakra u krye mbi bazën e një fatwa nga Khomeini.
  • Shumica dërrmuese e viktimave ishin aktivistë të opozitës PMOI (MEK).
  • Të gjitha dënimet me vdekje miratoheshin nga Komisionet e Vdekjes.
  • Alireza Avaei, anëtar i Komiteteve të Vdekjes, është sot Ministri i Drejtësisë në kabinetin e Hassan Rouhani-t.
  • Autorët e masakrës së 1988-ës nuk janë vënë kurrë para drejtësisë.
  • Më 9 gusht 2016 u publikua për herë të parë një regjistrim zëri i ish-pasuesit të Khomeini-t, ku ai pohonte faktin se masakra kishte ndodhur dhe ishte urdhëruar në nivelet më të larta.