Vizita e ambasadorëve në burgun famëkeq të Evinit, kritikuar nga dy të burgosura

396

E shtunë, 15 korrik 2017 17:23

NCRI – Dy prej të burgosurave të Evinit kanë kërkuar nga ambasadorët e vendeve të huaja që të mos bashkëpunojnë me zyrtarët e regjimit iranian në përpjekjet e tij për të paraqitur një imazh të rremë të burgjeve dhe të të burgosurve të regjimit iranian.

Atena Daemi dhe Golrokh Iraei, të ndaluara në seksionin e grave të burgut Evin, thonë se të burgosurit nuk ishin në dijeni të vizitës dhe nuk u takuan me ambasadorët. Të dyja aktivistet e të drejtave civile kanë shkruar një letër në lidhje me këtë, duke u kërkuar ambasadorëve të vendeve të huaja në Iran që të vizitojnë burgjet e regjimit iranian pa planifikim paraprak. Po ashtu të dyja të burgosurat i kanë kërkuar Asma Jahangir-it, Raportueses Speciale të OKB-së për gjendjen e të drejtave të njeriut në Iran, të vizitojë burgjet e regjimit iranian dhe të flasë me të burgosurit.

Sipas të dyjave, ambasadorët e vendeve të huaja kanë vizituar vetëm disa godina të posaçme brenda burgut, ndërkohë që të burgosurit politikë nuk ishin në dijeni të vizitës dhe nuk mundën të takohen me ta.

“Nëse ftojmë mysafirë në shtëpi, e rregullojmë shtëpinë sa të mundemi”, shkruajnë Atena Daemi dhe Golrokh Iraei në letrën e tyre, duke shtuar: “Pra, nuk është çudi të shohësh që hapësira përpara Zyrës së zbatimit të urdhrave të burgut Evin, ku u ekzekutuan të burgosurit politikë nga skuadra e pushkatimit gjatë viteve ’80, tani është kthyer në një vend për të pritur 45 ambasadorë. “