Saturday, February 4, 2023

Varfëria në Iran Bën që Fëmijët të Kërkojnë Nëpër Plehra

Një iranian vdiq në Shiraz më 21 tetor pasi kishte ngrënë ushqim të prishur nga një kosh plehrash, një shembull i tmerrshëm i prevalencës së varfërisë në Iran.

Shumë njerëz në Iran janë tashmë aq të varfër saqë i duhet të gërmojnë nëpër mbeturina për të gjetur ushqim apo objekte për të shitur, dhe në këta njerëz përfshihen edhe fëmijët e vegjël.

Uebsiti IRNA shkruan: “Për shkak të shpërndarjes së padrejtë të burimeve, si dhe të përhapjes së varfërisë dhe varësive, po përballemi me dukurinë e kërkimit nëpër plehra si një dëm i ri shoqëror; papunësia, varfëria, dështimet e qeverisë, dhe varësitë janë ndër arsyet kryesore të kërkimit nëpër mbeturina.”

Fëmijët si grumbullues mbeturinash

Në fakt, fëmijë të vegjël, madje edhe vetëm gjashtë vjeç, janë rekrutuar nga mafia qeveritare e mbeturinave për të grumbulluar e klasifikuar mbeturinat në mënyrë që të ulin kostot e punës – fëmijët fitojnë më pak se një të dhjetën e pagës së një të rrituri. Kjo do të thotë se Regjimi Iranian mund të fitojë më shumë para nga mbeturinat, të cilat ndahen në ato që duhen djegur e ato që duhen ricikluar.

Agjensia shtetërore e lajmeve, Tasnim, shkruan: “Mungesa e monitorimit të saktë, dhe liçensimi i mbledhjes së mbeturinave tek kontraktuesit që përdorin fëmijë të varfër, të cilët duhet të punojnë për bukën e gojës, ka shkaktuar formimin e qendrave ricikluese të autorizuara e të paautorizuara në kufirin e rajoneve jugore të Teheranit dhe në qendra si Mahmud Abad e vende të tjera të ngjashme. Shumë bashkatdhetarë e të huaj punojnë e jetojnë në kushtet më të këqija në mes të një mali me plehra.”

Për më tepër, këta fëmijë ekspozohen ndaj tifos, SIDA-s, hepatitit, e parazitëve të zorrëve pasi nuk u jepen pajisje apo trajnim për sigurinë. Ata mund të vuajnë edhe nga dhimbjet e gjunjëve e të shpinës pasi trupat e tyre nuk janë aq të fuqishëm sa të mbajnë pesha të rënda. Asnjë nga këto probleme nuk trajtohet sepse fëmijët nuk janë të siguruar.

Shumë nga zyrtarët publikë në zonën lokale kërkojnë madje edhe gjysmën e rrogës së një fëmije çdo muaj, por trysnia ekonomike mbi këta fëmijë bën që të mos munden të refuzojnë.

Gratë që kërkojnë nëpër plehra

Një numër gjithnjë e më i madh grash detyrohen gjithashtu të kërkojnë nëpër plehra për të plotësuar nevojat e familjeve të tyre, por shumë prej tyre vuajnë nga varësitë apo probleme të tjera të cilat nuk i lejojnë të gjejnë punësim të rregullt – në atë treg të vogël pune që ekziston.

Uebsiti IRNA shkruan: “Gratë, në bashkëpunim me qendra jozyrtare, shkojnë në vendet e grumbullimit apo të asgjësimit të mbeturinave, në mënyrë që të mund të mbulojnë shpenzimet e jetesës duke mbledhur mbeturina të ricikluara për t’i shitur.”