Friday, March 29, 2024

Unioni iranian i punës paralajmëron kundër shtypjes së vazhdueshme të punëtorëve të çelikut në Ahvaz

 Iran, 20 janar 2019 – Të shtunën, Unioni i Lirë i Punëtorëve publikoi një deklaratë, në të cilën dënonte kushtet represive të vendosura kundër punëtorëve të Ahvazit të cilët janë liruar rishtazi me kusht nga burgu.

“Marrja e një garancie prej 2.5 bilion rial nga familjet e Karim Siahi dhe Tariq Kholfi tregon se vala e represionit vazhdon kundër punëtorëve të Grupit Kombëtar Industrial të Çelikut të Iranit, të cilët kërkonin të drejtat e tyre bazë gjatë grevave 38-ditore e protestave në rrugë,” shkruan unioni në deklaratën e tij.

Siahi dhe Kholfi janë dy nga përfaqësuesit e punëtorëve të çelikut në Ahvaz të cilët kanë protestuar kundër rrogave të papaguara dhe kushteve të këqija të punës. Ndërsa grevat dhe protestat vazhdonin, regjimi iranian mori masa të rënda ndaj protestuesve dhe arrestoi disa dhjetëra punëtorë gjatë mësymjeve natën në shtëpitë e tyre. Siahi dhe Kholfi u liruan më në fund mbasditen e së shtunës.

Unioni paralajmëron gjithashtu se aparati i sigurisë i regjimit iranian ka në plan të krijojë dokumenta të rreme kriminale për punëtorët në mënyrë që të vazhdojë t’i kërcënojë ata dhe t’i ndjekë penalisht kur të dojë ai. “Me dokumente kriminale të fabrikuara e të paqarta, institucionet e sigurisë duan që kërcënimi i ndjekjes penale t’u rrijë mbi krye punëtorëve të guximshëm të këtij kompleksi të madh industrial dhe t’i detyrojnë ata t’i dorëzohen tiranisë dhe shkeljes së të drejtave e rrogave të tyre,” shkruan unioni.

Unioni i Lirë i Punëtorëve ka kërkuar që të rrëzohen të gjitha akuzat penale kundër 43 punëtorëve që u arrestuan në dhjetor.