Wednesday, September 11, 2024

Analisti i Regjimit Iranian: “Lutjet Tona të Përmortshme për JCPOA-në”

Përplasja midis grupeve të ndryshme brenda regjimit në Iran mbi Planin e kotë të Përbashkët të Veprimit (JCPOA) pas tre vitesh, tregon rrugën qorre ku ka ngecur regjimi iranian teksa sanksionet dhe izolimi ndërkombëtar i tij intensifikohen.

Marrëveshja e reklamuar aq shumë midis Iranit dhe vendeve P5+1, e cila supozohej të shëronte gjendjen e regjimit iranian—sidomos nga ana ekonomike—është shndërruar në një kufomë me të cilën Teherani nuk di çfarë të bëjë.

Që në fillim, asfiksia ekonomike ka qenë arsyeja më e rëndësishme pse mullahët iranianë—dhe Udhëheqësi i tyre Suprem Ali Khamenei në radhë të parë—u ulën në tryezën e negociatave. Tashmë, në prag të tre-vjetorit të marrëveshjes, pakti bërthamor është bërë një sipërmarrje vetë-shkatërruese e cila është kthyer kundër vetë mullahëve.

JCPOA ka qenë një pikë mosmarrëveshjeje midis grupeve të ndryshme qeverisëse të regjimit që në fillim, por kur administrata aktuale e SHBA-së u tërhoq nga pakti dhe përfitimet ekonomike që mullahët kishin korrur gjatë viteve të shkuara nisën të avulloheshin, gjërat ndryshuan.

Në përpjekje për të hedhur poshtë argumentat e rivalëve, Javad Zarif, ministri i jashtëm i Hassan Rouhani-t, tha rishtazi se qëllimi i marrëveshjes nuk ka qenë aspak ekonomik.

Asembleja e Ekspertëve, një trup i fuqishëm mbikëqyrës pranë Khamenei-t, nuk ishte dakord me këtë pikëpamje në deklaratat e saj të fundit: “Zyrtarët, veçanërisht ministria e jashtme, pritet të veprojnë në përputhje me paktin bërthamor për të hequr sanksionet. Qëllimi i negociatave është pikërisht heqja e plotë e pa kushte e të gjitha sanksioneve ekonomike, financiare, bankare e bërthamore, dhe ky objektiv nuk duhet të braktiset.”

Deklarata e 17 janarit thotë më tej se ministri i jashtëm, në kundërshtim me rrugën e deklaruar të negociatave nga Ali Khamenei, “ka shpallur se qëllimi i JCPOA-së nuk ka qenë i lidhur me ekonominë dhe heqjen e sanksioneve. Kjo do të thotë të dorëzohesh përballë armikut dhe shmangie nga udhëzimet kryesore të negociatave të cilat kishin për qëllim heqjen e sanksioneve.”

Në të njëjtën ditë, Ahmad Jannati, kreu i Asemblesë së Ekspertëve dhe Këshillit të Gardianëve, sulmoi grupin e Rouhani-t duke thënë “të mbash shpresa se europianët do t’u përgjigjen detyrimeve të tyre lidhur me JCPOA-në është budallallëk”.

“Disa thonë se pas largimit të SHBA-së nga JCPOA, Europianët do të bëjnë diçka për ne, ndërkohë që ata vetëm zvarritin këmbët dhe nuk do të bëjnë kurrë diçka në favorin tonë,” tha Jannati.

Edhe pse gënjente, ai tregoi frikën e vërtetë të Republikës Islamike për kërcënimin ekzistencial që ajo ndien, dhe tha: “Vetë Franca fton [MEK/PMOI] dhe organizon një samit për ta, dhe i strehon e i fuqizon kundër Republikës Islamike.”

Jannati shkoi edhe pak më larg se Khamenei duke thënë: “Udhëheqësi Suprem ka thënë se nëse ata e grisin JCPOA-në, ne do ta djegim por nuk e kemi bërë këtë dhe tani [është koha] ta bëjmë.”

Mohsen Kouhkan, një deputet iranian, i është referuar gjithashtu deklaratave të disa individëve pranë grupit të Rouhani-t që argumentojnë se duhet t’i vazhdojnë negociatat me Europën rreth programit iranian të raketave balistike, dhe ka thënë: “Ne zbritëm në gropën e JCPOA-së duke u mbajtur në litarin e kalbur të europianëve dhe këta njerëz duhet në radhë të parë të thonë se çfarë përfitimesh kemi patur nga JCPOA që u dashka t’i vazhdojmë këto negociata.”

Pavarësisht interesave të kundërta midis grupeve të ndryshme për sa i përket JCPOA-së, fakti është se kjo marrëveshje është kthyer në një problem për regjimin iranian dhe ai nuk di si ta zgjidhë.

Mohsen Jalilvand, një analist iranian i afërt me konservatorët e përmbledh çështjen duke thënë: “Duhet të bëjmë lutjet e përmortshme për JCPOA-në dhe të mendojmë për pas-JCPOA-së. Është shumë e çuditshme që Irani pret ende që JCPOA të ringjallet.”